Vende

Kufizimet dhe rihapjet për udhëtimet e këso ditëve


Vaksinuar ose jo, me testin PCR apo me ndjekjen e karantinës, të kapërcesh kufijtë këto kohë nuk është e lehtë.

Megjithatë, agjencia e lajmeve, “CNN”, ka pasqyruar një panoramë me azhurnimet e udhëtimeve pandemike deri më tani.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hapin kufijtë e vet ajrorë

Këtë javë, lajmi më i madh i udhëtimit është se, pas një ndalimi 18-mujor, SHBA-të më në fund do të rihapin kufijtë për shtetasit e huaj të vaksinuar në muajin nëntor.

Për të fituar hyrjen, të gjithë shtetasit e huaj do të duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit dhe një test negativ të marrë brenda tre ditëve para udhëtimit, si dhe të respektojnë masat e shtuara të gjurmimit të kontratës.

Mirëpo, ende nuk është konfirmuar se cilat vaksina do të pranohen, si SHBA-të do t’i vlerësojnë dhe verifikojnë statusin e vaksinimit, ose në cilën datë do të hapen kufijtë.

Por kufijtë tokësorë mbesin të mbyllur

Kanadaja rihapi kufijtë e saj tokësorë me Shtetet e Bashkuara më shumë se një muaj më parë, por ajo është ende në pritje të kthimit të mirëseardhjes.

Koordinatori përgjigjes për COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë, Jeff Zients, ka bërë me dije se kufizimet jo-thelbësore të udhëtimit në vendkalimet tokësore me Kanadanë dhe Meksikën do të zgjaten deri më 21 tetor.

Kufizimet e vazhdueshme të kufirit tokësor janë vënë nën një kontroll të rëndë nga lobistët, ligjvënësit dhe kryetarët e kufijve.

Tre destinacione të reja janë shtuar në listën “mos udhëtoni” në SHBA

Bermuda, Guajana, dhe Antigua dhe Barbuda, janë shtuar në kategorinë e rrezikut “shumë të lartë” të listës së këshillimeve të udhëtimit të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“CNN” tregon se afro 90 destinacione janë vendosur në kategorinë më të lartë të rrezikut, duke përfshirë të preferuarat turistike si Franca, Greqia dhe Tajlanda.

Lidhur me shtimin e tyre në këtë listë, destinacionet kanë pasur më shumë se 500 raste për 100 mijë banorë në 28 ditët e fundit.

Në përgjigje të rritjes së infektimeve, Antigua dhe Barbuda po përditësojnë edhe protokollet e udhëtimit.

Nga 1 tetori, të gjithë udhëtarëve që mbërrijnë do t’u kërkohet të kenë marrë të paktën një dozë të një vaksine të miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Australia është në rrugën e duhur të rihapjes “deri në Krishtlindje”

Ministri australian i Turizmit, Dan Tehan, ka deklaruar më 22 shtator se vendi është në rrugën e duhur për të lejuar rihapjen e kufijve para fundit të vitit.

“Më së voni deri në Krishtlindje”, ka shtuar ai.

Qeveria ka vendosur një numër objektivash që duhet të arrihen, një prej të cilëve është kalimi i normës kombëtare të vaksinimit prej 80 për qind. Që nga 22 shtatori, vetëm 38 për qind e australianëve kishin marrë të dyja dozat e një vaksine.

Kur të rihapen kufijtë, vizitorët ndërkombëtarë në Australi gjithashtu do të duhet të verifikojnë që janë plotësisht të vaksinuar për t’u lejuar atyre hyrjen.

Abu Dhabi ka hequr kërkesën e testimit COVID-19

Nga 19 shtatori, qytetarëve, banorëve dhe turistëve që udhëtojnë në Abu Dhabi nga emiratet e tjera në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk u kërkohet më të paraqesin një rezultat negativ të testit.

Sipas “CNN”, vendimi vjen pas një rënie të shkallës së infeksionit dhe futjes së një sistemi të kalimit jeshil për të hyrë në disa vende publike.

Azia Juglindore mund të hapet shumë shpejt

Vendet përfshirë Malajzinë, Tajlandën dhe Vietnamin po heqin dorë nga politikat e tyre “zero-COVID” dhe po kërkojnë të ringjallin industritë e tyre të turizmit duke rihapur kufijtë dhe hapësirat publike.

Sidoqoftë, ekspertët shqetësohen se normat e ulëta të vaksinimit në pjesën më të madhe të Azisë Juglindore dhe përdorimi i gjerë i vaksinave me efikasitet më të ulët, siç është Sinovac-u i Kinës, mund të çojnë në katastrofë.

Vatikani do të kërkojë një Green Pass për hyrje nga 1 tetori

Për hyrjen në Vatikan pas 1 tetorit do të duhet një certifikatë shëndetësore Green Pass duke treguar dëshmi të vaksinimit, një test negativ ose shërim nga COVID-19.

Kjo vjen pas njoftimit të qeverisë italiane javën e kaluar se nga 15 tetori Green Pass do të jetë i detyrueshëm për të gjithë punëtorët, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Një ishull i Karaibeve do të bëhet shumë më i lirë për të hyrë

Territori i vogël britanik jashtë shtetit i Montserrat-it, shtëpia e më pak se pesë mijë njerëzve, ka pasur një qasje të re për të mbajtur elitën e saj turistike të siguruar gjatë pandemisë.

Kur u rihap për punonjësit ndërkombëtarë të largët në fillim të këtij viti, kufizimet e hyrjes ishin rigoroze. Duheshin të ardhura minimale vjetore prej 70 mijë dollarësh për t’u marrë parasysh. Vetëm 21 udhëtar kanë bërë hyrjen deri më tani.

Por ka një lajm të mirë për xhepin.

Ishulli do të rihapet për vizitorët e vaksinuar nga 1 tetori. Asnjë pagë minimale nuk kërkohet, por do të duhet një karantinë pesë-ditore dhe një test PCR në ditën e katërt.

Skandinavia sapo u bë më tërheqëse

“CNN” tregon se jo shumë kohë pasi Danimarka hoqi shumicën e kufizimeve në jetën e përditshme, edhe Norvegjia njoftoi këtë javë një veprim të ngjashëm.

Ndërkohë, Suedia po heq kufizimet e udhëtimit në të gjitha vendet nga 1 tetori, që do të thotë se qytetarët e saj tani kanë një mundësi të madhe zgjedhjesh kur është fjala për të rezervuar.

Udhëtimi në Suedi është ende subjekt i kufizimeve. Shumica e udhëtarëve do të duhet të tregojnë prova të një testi negativ dhe shumica e vendeve jo të BE-së janë ende të ndaluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore