Sport

Kualifikueset e Kupës së Botës për femra/ Kosova përmbyset në shtëpi nga Polonia


Përfaqesuesja e femrave të Kosovës ka humbur përballë Polonisë në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, Australi – Zeland e Re 2023.

Dy skuadrat u përballën në “Fadil Vokrri”, pasditen e kësaj të enjte. Polaket fituan me rezultatin 2-1. Të tre golat e takimit që erdhën në pjesën e parë.

Ndeshja filloi mirë për vajzat verdhekaltër, që arritën të gjenin rrugën e rrjetës që në minutën e katërt të takimit. Futbollistja e KFF Mitrovices e dërgoi në rrjetë topin e dhuruar nga Donjeta Halilaj e Vllaznisë së Shkodrës.

Gëzimi i vajzave dardane do të zgjaste deri në minutën e 17. Ishte pikërisht Karolina Gec, që do të vendoste barazpeshën në këtë minutë.

Goli që do të sillte përmbysjen dhe do të vuloste fitoren e polakeve do të vinte në minutën e 35 nga Martyna Wiankowskia.

Me fitoren e arritur, Polonia ngjitet në krye të Grupit F me 11 pikë. Kosova qëndron në vendin e pestë me katër pikë.

Pjesë e këtij grupi është dhe Shqipëria, e cila do të përballet me Norvegjinë në “Air Albania”, duke filluar nga ora 20:10.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore