Teknologji

Ku mbeti privatësia?


Në secilën rrugë të qytetit të shohin sytë të rinj që nuk ndërmarrin as përpjekjen më të vogël për të të kthyer shikimin. Gjithë qenia e tyre është e përpirë nga një aparat i vogël dhe i ftohtë si telefoni.

Aty mbase mund të gjesh bisedat më të ngrohta me të afërmit më të dashur, mund të gjesh puthje e përqafime ashtu sikundër lot e dhimbje, të mbuluara mes fjalëve e imazheve.

Mbase mund të ndërtosh rrugëtimin e gjithsecilit me momentet më të mira dhe ato më të vështira, por pa ditur se mund të kesh edhe një të tretë që të ndjek.

Fytyrat e të rinjve nuk duken të shqetësuara për këtë. Nëse të dhënat e tyre të cilat i japin ose jua marrin, platformat e komunikimit dhe ndërlidhjes, nuk është çështje që vlon.

Elsida Sinaj, dekane e studentëve në Universitetin Europian të Tiranës, në një prononcim për Albanian Post, mendon se mungesa e shqetësimit vjen prej zhgënjimit që kanë të rinjtë se institucionet nuk do të bëhen zgjidhje për problemin e tyre.

Ajo shprehet se ata ndjehen të frustruar çka i bën të besojnë se edhe kjo gjë do të kalojë si gjithë të tjerat.

“Të rinjtë kanë idenë se marrja e të dhënave personale nuk mund të jetë më e rëndë se ajo çfarë u ndodh në jetën e përditshme në çdo gjë që bëjnë. Është një lloj neglizhence sociale”, ka shtuar Sinaj.

Pedagogu dhe sociologu, Gerti Sqapi, ka dhënë këndvështrimin e tij lidhur me këtë fenomen. Ai sqaroi se “platformat e komunikimit në vendin tonë përdoren kryesisht për çështje të ngushta të komunikimit të përditshëm” dhe nuk kanë arritur ende të jenë pjesë e diskursit publik.

Sqapi heq një paralele me vendet e Bashkimit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të cilat mbrojtja e të dhënave personale në internet ka një rëndësi të veçantë.

Përdoruesit në këto vende ngrenë padi dhe hapin procese gjyqësore ku kërkojnë dëmshpërblime miliona dollarëshe deri te kërkimi për pezullimin e platformave të caktuara në internet.

Mirëpo, reagime të tilla nuk ndodhin te ne. Sipas tij, mungesa e reagimit është produkt i mungesës së edukimit dhe sensibilizimit për tema që kanë të bëjnë me privatësinë.

Për sa i përket mbulimit ligjor, avokat Gedeon Dudushi është shprehur se Ligji nr. 9887 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, ka një përcaktim të mirë dhe mbrojtje të gjerë të të dhënave personale.

Nga ana tjetër, është edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që jep ndihmesën e tij me rregulla dhe ndërhyrje, mirëpo zbatimi i tyre është i paktë.

“E kemi ligjin, por askush nuk ka hyrë në detaje që të kërkojë bllokimin e një platforme në internet”, ka shtuar avokati duke zbuluar se në dijeninë e tij, në vendin tonë nuk ka asnjë process gjyqësor të jetë hapur në mënyrë direkte kundër një platforme në internet lidhur me të dhënat personale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore