Lajme

Ku ka mbetur Hilli?


Christopher Hill

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në orët e para mëngjesin e së dielës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – nga një grup i armatosur kriminal, duke shuar jetën e një zyrtari policor, mori përgjigje ekzakte nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, por jo edhe nga ambasadori amerikan në Serbi, Chris Hill, i cili s’e tha asnjë fjalë për këtë akt.

Bashkimi Evropian (BE) dhe shtetet e QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), dënuan në termat më të fuqishëm të mundshëm sulmin ndaj organeve të rendit, por jo diplomati amerikan, i cili aktualisht gjendet në listën e të heshturve bashkë me Listën Sërpska – forcën më të madhe të serbëve të Kosovës.

Mësymjen e një grupi terrorist ndaj Policisë së Kosovës e dënoi ashpër, Jeffrey Hovenier, ambasadori amerikan në Prishtinë, duke e cilësuar “sulm të dhunshëm e të orkestruar” ndaj organeve të rendit. Me gjuhë ekzakte vrasjen e një polici kosovar e dënoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e cilësoi “sulm të koordinuar”, por jo edhe ambasadori amerikan në Serbi.

Hilli nuk reagoi as në ditën kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po kryen “spastrim etnik” me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Këtë pandehmë presidenti serb e lëshoi në ajër në takim me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharchenko, ku ndër të tjera shprehu “mirënjohjen” e tij për Rusinë dhe ambasadorit rus.

Vuçiçi njoftoi se Kharchenko “dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe” rreth situatës në Kosovë, duke vazhduar kështu marshimin e tij sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore. Por ambasadori amerikan nuk e tha asnjë fjalë deri tani. Hilli nuk reagoi as kur shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dënoi sulmin me tone shumë më të ashpra se të tjerët.

Dhuna ndaj policisë kosovare u konsiderua nga kryediplomati evropian “sulm i tmershëm terrorist dhe frikacak”, duke hequr kështu dilemën se si duhet të cilësohet rasti. Ishte sulm puro terrorist. Megjithëse diplomati veteran nuk reagoi as edhe atëherë. Për vrasjen e rreshterit policor, përveç liderëve institucionalë, reaguan edhe ish-diplomatë, eurodeputetë e studiues të fushave të ndryshme, por jo edhe Hilli.

Hilli shpesh është cilësuar nga vëzhgues ndërkombëtarë e vendorë si “udhëheqësi moral” i Serbisë, por rëndom thuhet se moralistët lëkunden midis nënshtrimit faktik dhe rreptesisë verbale: t’i thuash jo gjithçkaje, në fund të fundit, do të thotë të pranosh gjithçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore