Kosova

Kryetari i OEAK-it: Tensionet në Veri humbin mundësinë për tërheqjen e investimeve të huaja


Arian Zeka

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se tensionet në Veri të vendit – i banuar me shumicë serbe – po i humbin mundësitë për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Çështjet në Veri dhe tensionet e vazhdueshme në pjesën Veriore të vendit, natyrisht bëjnë që Kosova të dëmtohet më tej në aspektin e reputacionit të vet që e ka dhe t’i humbet mundësitë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, tha Zeka për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress”.

E kjo, Zeka theksoi se është synimi parësor edhe i institucioneve qendrore, pra i Qeverisë, “por edhe i gjithë neve të tjerëve si akterë joshtetëror, por që kemi një rëndësi dhe rol për të luajtur për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”.

Sa i përket investimeve të huaja direkte, kreu i OEAK-it potencoi se në tri vitet e fundit ka pasur rritje të vëllimit të përgjithshëm, porse, siç sqaroi ai, investimet po vazhdojnë të ndodhin në ato që quhen sektori joproduktiv, që, sipas tij, “nuk ndikojnë në aspektin e gjenerimit të vendeve afatgjate të punës”.

Këto, në prizmin e tij, nuk janë investime që ndikojnë mëtejmë në rritje të efikasitetit, pasi ndodhin në sektorin e patundshmërisë dhe ndërtimtarisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore