Kosova

Kryeministri i Irlandës pritet me ceremoni shtetërore nga Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Irlandës Leo Varadkar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka pritur me ceremoni shtetërore kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

Pas takimit, Kurti dhe Varadkar pritet që të deklarohen në konferencë për media rreth çështjeve të cilat kanë diskutuar.

Varadkar, së bashku me një delegacion shoqërues do të qëndrojë për një vizitë një ditore në Kosovë.

Ndërsa, Zyra e Kryeministrit kishte njoftuar se Kurti dhe homologu i tij irlandez do të takohen të enjten duke filluar nga ora 09:30.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpret me ceremoni shtetërore Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Irlandës Leo Varadkar.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për vizitën e Varadkar, ku ka bërë me dije se për shkak të sigurisë së tij do të bëhet ndërprerje e përkohshme e qarkullimit të trafikut.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”.

“Andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, ka thënë policia.

Policia e Kosovës, ka thënë se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

Kryeministri i Irlandës në vizitë zyrtare në Kosovë, policia bllokon disa rrugë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore