Kosova

Kryeministri Golob i jep mbështetje pa kushte ish-presidentit slloven që të jetë pasues i Lajçak-ut, Pahor as s’e mohon as s’e pohon


Foto: Albanian Post

Nga zyra e ish-Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, as nuk e kanë mohuar dhe as nuk e kanë pohuar raportimin se ai mund të emërohet Emisar Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, derisa nga kabineti i kryeministrit slloven, Robert Golob, kanë theksuar se ai e mbështet pa kushte Pahor-in për ta zëvendësuar sllovakun, Miroslav Lajçak.

Fillimisht, të martën, gazeta sllovene, “Delo”, duke u thirrur në burime shkroi se Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka filluar një fushatë lobimi që Pahor të emërohet në këtë pozitë.

Lidhur me këtë, Albanian Post ka kontaktuar me stafin e kabinetit të ish-presidentit slloven, por që nuk ka marrë përgjigje konkrete, për ta pohuar apo mohuar.

“Ne nuk kemi asnjë koment”, kanë thënë shkurtimisht nga kabineti Pahor-it.

Për këtë çështje, përsëri të mërkurën ka shkruar gazeta sllovene që e dha lajmin fillimisht, pasi që ka marrë përgjigje nga ekzekutivi slloven.

Nga kabineti i kryeministrit slloven i kanë thënë gazetës në fjalë se Golob i ka shprehur mbështetjen e pakushtëzuar Pahor-it në kandidimin e tij për pozitën e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Ata shtuan se në muajin e kaluar Golob ka zhvilluar bisedime të shumta bilaterale me liderët e vendeve evropiane si dhe me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian.

Kryeministri slloven shprehet i bindur se “ish-presidenti Pahor ka dëshmuar me punën dhe përvojën e tij politike të deritanishme se është një mik i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e tij, si dhe përpjekjet e Sllovenisë, kanë për qëllim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë mënyrë të gjithë Evropën”.

Si po e vlerësojnë ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare?

Emërimi i Borut Pahor-it, ish-president i Sllovenisë, si i Dërguar Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po konsiderohet pozitive për shkak se i njëjti e njeh kontekstin e problemit në mes të palëve, përsëri shprehen skeptik për rezultatin që mund të arrijë ai në këtë drejtim, për shkak se konsiderojnë se progresi i dialogut varet nga vullneti i liderëve të vendeve respektive, përkatësisht Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it.

Sipas ish-Ministrit për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, emërimi i Pahor-it si ndërmjetësi i dialogut nuk do të ndryshojë rrjedhën e dialogut, përderisa në këtë proces janë protagonistë Kurti dhe Vuçiç, teksa përmend edhe rëndësinë që ka ndërmjetësi në dialog.

“Roli i ndërmjetësuesit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetik dhe i rëndësishëm për disa arsye. Së pari, është e rëndësishme që ndërmjetësuesi të jetë neutral dhe i besueshëm sepse kjo ndihmon në rritjen e besimit dhe krijon një atmosferë më konstruktive për negociatat. Së dyti, ndërmjetësuesi duhet të këtë ekspertizën dhe përvojën adekuate që të jetë në gjendje të ofrojnë zgjidhje kreative për çështje të ndërlikuara”, tha Çollaku për Albanian Post.

“Në rastin konkret, emërimi eventual në rolin e ndërmjetësuesit në emër të BE-së i Pahor-it, si pasues i Lajçak-ut, nuk besoj se do të mund të ndryshojë dinamikën e dialogut, për aq kohë sa në tavolinë të negociatave do të mbesin Kurti dhe Vuçiç”, shtoi ai.

Lexo edhe këtë: “Të gjithë jemi të zhgënjyer me dialogun, por s’duhet të heqim dorë”, intervistë e ish-presidentit slloven, Borut Pahor, për Albanian Post

Kur e thotë një gjë të tillë, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare mendon se problemi me dialogun dhe marrëveshjet nuk qëndron tek ndërmjetësuesi qoftë ai Lajçak sot, nesër Pahor apo dikush tjetër.

Problemi thelbësor, sipas tij, “është tek mungesa e vullnetit dhe guximit tek Kurti dhe Vuçiç qoftë për të arritur marrëveshje përfundimtare, apo së paku për të zbatuar marrëveshjen e keqe [Marrëveshjen Bazë, Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars] të cilën e kanë pranuar të dytë, dhe tani asnjëri nuk do që ta zbatojë”.

“Prandaj, pavarësisht se kush do të jetë pasuesi i radhës që do të ndërmjetësoi në emër të BE-së, jam skeptik se do të ketë sukses për aq kohë sa Kurti dhe Vuçiç mbesin në tavolinë të negociatave sepse asnjëri nga ata nuk është i interesuar për marrëveshje përfundimtare”.

Çollaku vlerëson se ata të dy duan vetëm tensione “në mënyrë që t’i mbajnë dy popujt në ankth dhe frikë të vazhdueshme”.

“Kjo situatë e tensionuar e cila është rezultat i gjuhës dhe retorikës së tyre, i ndihmon ata të ruajnë pushtetin e tyre, duke e përdorur dialogun dhe situatën e tensionuar si mbulesë për të gjitha problemet dhe dështimet në aspektin e qeverisjes së mirë dhe mungesën e zhvillimit ekonomik”, thekson ai për AP.

Ndërsa, për ish-ambasadoren e Kosovës në Itali, Alma Lama, vënia e Pahor-it në krye të dialogut do të ishte një zgjedhje e mirë, kjo për shkak të vendit prej nga ai vjen, por edhe për shkak të njohjes së kontekstit të problemit.

“Ai nuk do të ketë problemin që kishte Lajçak, që vinte nga një vend jonjohës [Sllovakia] i Kosovës”, thotë Lama në një prononcim për AP.

“Nga ana tjetër një përfaqësues nga një shtet që ka qenë pjesë e Jugosllavisë ka përparësitë dhe problemet e veta. Përparësi është njohja e kontekstit politik e historik, ndërsa problem mund të bëhen akuzat për njëanshmëri nga njëra palë në proces”, thekson ajo, derisa shton se më e udhës do të ishte që ndërmjetësi të vinte nga njëri nga vendet e fuqishme të BE-së.

Por, megjithatë, pa marrë parasysh personin që ndërmjetëson procesin, sipas Lamës, askush nuk mund të zgjidh konfliktin nëse nuk ka vullnet nga palët.

“Pahor s’mund ta ndryshojë dinamikën e dialogut përderisa në tavolinë janë Kurti e Vuçiç”

Çka ndodhi?

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, mund të emërohet si i Dërguari i ardhshëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duke zëvendësuar kështu në këtë pozitë diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak.

Gazeta sllovene, Delo, duke u thirrur në burime shkroi të martën se Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka filluar një fushatë lobimi që Pahor të emërohet në këtë pozitë.

Vlerësimet, sipas gazetës sllovene, janë se Pahor është kandidat i denjë dhe i plotëson kushtet për zëvendësimin e Lajçak-ut si i deleguar i BE-së.

“Për momentin, procesi i lobimit që Pahor të zë postin e të dërguarit special është në një fazë të ndjeshme”, shkroi Delo.

Sipas gazetës sllovene për emërimin e Pahor në këtë pozitë, përveç Fajon është duke lobuar instituti Miqtë e Ballkanit Perëndimor i cili u krijua nga vetë ish-presidenti i Sllovenisë.

“Një pjesë e lobimit për Pahorin e kryen edhe komiteti këshillues i Institutit Miqtë e Ballkanit Perëndimor. Ai përfshin, ndër të tjera, ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton, ish-kryeministrin suedez dhe Përfaqësuesin e Lartë të OKB-së për Bosnje-Hercegovinën, Carl Bildt, ish-kryeministren kroate Jadranka Kosor, ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ish-presidentin serb, Boris Tadiç”.

E gjithë kjo erdhi pasi që “Radio Evropa e Lirë”, javën më parë raportoi se diplomati sllovak pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

Duke cituar burime diplomatike, REL shkroi se Lajçak do të nis mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.

Lajçak për 4 vjet mban pozitën e të Deleguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërsa mandati i tij pritet të përfundojë në fund të gushtit të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore