Lajme

Kryeministri britanik i shqetësuar për situatën në Veri: Kurti e Vuçiç kanë përgjegjësi për t’i ulur tensionet


Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, është pyetur nga deputetja britanike Alicia Kearns gjatë seancës së kuvendit për zhvillimet në Kosovë.

Sunak i ka dënuar sulmet ndaj pjesëtareve të KFOR-it nga protestuesit serb në Zveçan gjatë muajit maj ku u lënduan mbi 30 ushtarë.

“Unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për t’i ulur tensionet dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, tha Sunak.

Po ashtu deputetja Kerarns e ka pyetur kryeministrin e saj edhe për armët ilegale të cilat sipas saj po hynë nga Serbia në Kosovë.


“A do të dini të angazhoheni që ne t’i bashkohemi EUFOR-it, ku unë do të shtoja se si Turqia dhe Kili janë anëtarë, dhe a do ta konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që po dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicitë në Kosovë?”, ka pyetur ajo.

Ndërsa Sunak theksoi se “pikëpamja jonë është se duhet të gjejmë një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE”.

“Në lidhje me EUFOR-in, ne e shohim EUFOR-in si jetik për paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Mospjesëmarrja jonë në të nuk pasqyron rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe ne po përpiqemi të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin me misionin”, potencoi Sunak.

Muajin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte takuar këtë të hënë me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, James Cleverly gjatë qëndrimit të tij në Londër.

Sipas njoftimit për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, në takim është diskutuar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës ku ministri britanik i ka thënë Kurtit se tensionet e vazhdueshme rrezikojnë të arriturat e Kosovës për gjatë viteve.

“Ministri i jashtëm theksoi nevojën për Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa për de-eskalim që të reduktohen tensionet, duke përfshirë edhe sigurimin e ambienteve alternative për kryetarët në veri, largimin e njësive speciale nga ndërtesat komunale dhe bërja e hapave përpara drejt zgjedhjeve të reja përfshirëse”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Cleverly ka theksuar se Serbia dhe Kosova kanë përgjegjësi që të veprojnë menjëherë për të de-eskaluar tensionet dhe të shmangin hapa tensionues në të ardhmen, apo të kenë retorikë të tillë.

MPJ i Britanisë së Madhe, Kurtit: Tensionet e vazhdueshme rrezikojnë të arriturat e Kosovës – bëni hapa për shmangie të tensioneve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore