Shqipëria

Kryemadhi në SPAK për inceneratorin e Tiranës: Gjërat po zbardhen


Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është thirrur në Prokurorinë e Posaçme SPAK, për të dëshmuar për inceneratorin e Tiranës.

Thirrja e saj vjen pak ditë pas denoncimit më të fundit ku tregoi se në Sharrë kryhet vetëm groposje.

Deputetja dha dëshminë e saj para hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH).

Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi tha se “gjërat tani po zbardhen dhe shpresoj që më e pakta është që të ndalet pagesa për inceneratorin”.

Deputetja shtoi se “Landifilli i Sharrës duhet të ishte mbyllur brenda 22 muajve, ndërkohë që në nëntor është rihapur duke depozituar mbetjet”.

“Do të dorëzoj dokumente të tjera në lidhje me këtë.  E di që është e vështirë por kam besim të plotë se gjërat do të bëhen. Drejtësia të triumfojë për qytetarët shqiptarë që paguajnë një kompani ‘ofshore’ e cila grabit 29 euro për ton mbetje. Kjo është një kontratë që vazhdon për 30 vite, ndryshe nga Elbasani dhe Fieri. Pra ne vazhdojmë e paguajmë edhe pse nuk incenerohet, nuk diferencohen mbetjet. Ka dokumente të tjera, ka fakte të tjera”, ravijëzoi ajo.

Disa ditë më parë, Kryemadhi publikoi një material ku sipas saj vërtetohen shkeljet e aferës së inceneratorit të Tiranës.

Ndërsa shtoi më tej se organet e drejtësisë me në krye SPAK-un, duhet të veprojnë për të ndaluar pagesat që qeveria jep ndaj inceneratorit të Tiranës ku transportohen mbetje edhe nga bashkitë e tjera.

“Inceneratori i Tiranës është një nga dosjet më të nxehta dhe nëse SPAK nuk reagon s’më mbetet gjë tjetër veçse të protestoj para SPAK. Këtu nuk mund t’i mbyllë më sytë as SPAK dhe asnjë ndërkombëtar që do të mbrojë Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Shpresa ime është që, SPAK e di që nuk ka fuqi as të anulojë kontratën e koncesionit të Tiranës, të bllokojë pagesat nga bashkia e Tiranës”, tha Kryemadhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore