Lajme

Kryediplomati malazez: Jemi shembull i ushqimit të fqinjësisë së mirë


Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviç.

Filip Ivanoviç, Ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ka thënë se shteti që ai përfaqëson është shembulli më i mirë i ushqimit të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë.

“Marrëdhëniet me fqinjët janë shumë të mira, thelbësore dhe intensive dhe karakterizohen nga një dialog i hapur, si në planin dypalësh, ashtu edhe përmes nismave të shumta rajonale dhe perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ivanoviç në një insteristë për median malazeze “Vijesti”.

Kryediplomati malazez ka theksuar se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore “janë një nga shtyllat e politikës së jashtme të Malit të Zi”, derisa ka shtuar se shteti malazez “është njohur në disa raste nga partnerët dhe aleatët tanë si një fqinj konstruktiv, por edhe një shembull se si ushqehet bashkëpunimi i fqinjësisë së mirë”.

“Mendoj se mund të jemi shumë krenarë për atë pozicion dhe është e sigurt që do të vazhdojmë ta trashëgojmë një qasje të tillë”, shtoi.

Është shumë e rëndësishme, sipas Ivanoviç-it, “që të ndajmë një perspektivë evropiane dhe euroatlantike me fqinjët tanë, veçanërisht duke pasur parasysh se rajoni i Ballkanit Perëndimor, me të gjitha dobësitë dhe ndarjet e tij, është një terren tërheqës për interesa dhe ndikime të ndryshme gjeopolitike”.

“Në këtë kontekst, dhe për të ruajtur dhe forcuar sigurinë e rajonit, ne mbështesim fuqimisht veprimin e përbashkët dhe të koordinuar të NATO-s dhe BE-së në adresimin e sfidave të ndryshme në rajon”, potencon ai.

Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, shefi i diplomacisë malazeze ka theksuar se përkundër dallimeve në qëndrimet e politikës së jashtme mes dy vendeve për disa çështje, “nuk ka pengesa për dialog politik të bazuar në parimet e barazisë”.

“Me intensifikimin e vizitave të zyrtarëve të lartë në periudhën e kaluar, u hodhën hapa kyç në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, vlerësoi.

Ai ka shtuar se “është detyra jonë, në të dy vendet, të punojmë intensivisht për t’i bërë këto marrëdhënie sa më të mira”, dhe se beson se me përkushtim reciprok, të sinqertë, me respekt të ndërsjellë të bazuar në parimet e pavarësisë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme, “mund të ushqejmë dhe zhvillojmë më tej bashkëpunimin dypalësh”.

“Mali i Zi i trajton të gjitha çështjet me Republikën e Serbisë me ndjeshmëri dhe vëmendje të veçantë, për të ruajtur dhe përmirësuar marrëdhëniet miqësore me vendet fqinje, duke u kujdesur gjithmonë për të mbrojtur interesat e Malit të Zi dhe qytetarëve të tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore