Lajme

Kryediplomati kroat: Procesi i zgjerimit të BE-së po shkon në drejtimin e duhur


Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, ka thënë se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po shkon në drejtimin e duhur, dhe se “ka mbështetje nga niveli më i lartë politik”.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian në politikat e tij është i përkushtuar për ta integruar në Union Ballkanin Perëndimor, por se shtoi se në këtë çështje është kyç besimi që duhet të krijohet, dhe përgjegjësia për këtë sipas tij i takon BE-së

“Prandaj pyetja kryesore është se si të ringjallet besimi në politikën e zgjerimit – si në BE ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor. Për të pasur besim në proces, ai duhet të jetë i besueshëm, këtu qëndron përgjegjësia e Bashkimit Evropian”, tha ia, transmeton media kroate “Index”.

Ndërkaq, Grliç Radman potencoi se vitin e kaluar procesi i zgjerimit të BE-së “mori vrull me vendimet për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe dhënien e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën”.

Tutje, shefi i diplomacisë kroate  beson se “çështjet e pazgjidhura që rrjedhin nga e kaluara ende ndikojnë fuqishëm në situatën në Evropën Juglindore”, dhe shtoi se “zgjidhja e tyre është vendimtare për stabilitetin e rajonit”.

Për një kohë të gjatë procesi i zgjerimit të BE-së, sipas ministrit kroat ishte me autopilot, dhe si pasojë rezultati ishte tejet zhgënjyese.

“Zgjerimi ishte me autopilot për vite me radhë dhe rezultatet e një qasjeje të tillë ishin shumë zhgënjyese, nuk kishte pothuajse asnjë përparim dhe i gjithë procesi ishte i mbërthyer. U bë e qartë se duhej të bënim diçka për të ringjallur procesin dhe për ta bërë atë më efikas”.

Ndryshe nga më parë, momentalisht Grliç Radman, vlerëson se procesi i zgjerimit të BE-së është në rrugën e duhur.

“Tani po ecim në drejtimin e duhur me disa ndryshime të rëndësishme që përfshijnë angazhimin politik nga niveli më i lartë politik, një udhërrëfyes të qartë me një strategji të vendosur të bazuar në besueshmërinë dhe përgjegjësinë vetjake, një metodologji të re, asistencë të fortë para anëtarësimit dhe nisma të reja”.

“Kur bëhet fjalë për bashkëpunim dhe partneritet më të fortë, integrim të përshpejtuar ose gradual dhe dialog politik. Shpresoj se kjo do ta bëjë procesin e zgjerimit më të prekshëm për vendet në fjalë dhe më të rëndësishëm për qytetarët e tyre”, pohoi ai.

Ndryshe, vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili është i përbërë nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina, vazhdimisht kanë pasur kritika në drejtim të Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit të Unionit.

Deri më tani, asnjëra nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është pjesë e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore