Kroacia synon rolin si ‘porta e energjisë’ e Evropës Lindore

SHFLETO
Rajmonda Basha
17.10.2022 19:00
Loading Icons...

Lufta në Ukrainë ekspozoi varësinë e Bashkimit Evropian (BE) nga karburantet fosile ruse, por një tubacion nafte i konceptuar si një rival jugosllav ndaj infrastrukturës sovjetike mund të ndihmojë Kroacinë të dalë si fituese nga kriza energjetike e Evropës.

Zagrebi po punon mbi planet që mund të dyfishojnë kapacitetin e tubacionit të naftës Adria në 2 milion ton në muaj. Kjo do të ishte një rrugë shpëtimi për vendet anëtare të BE-së, Hungarinë, Sllovakinë dhe Slloveninë, si dhe Serbinë e Bosnjë dhe Hercegovinën, të cilat kanë terminale dhe rafineri që lidhen me tubacionin dhe po përpiqen të reduktojnë varësinë nga gazi rus.

Ajo po rrit gjithashtu kapacitetin e saj për të importuar gaz natyror të lëngshëm nga 2.9 miliardë metra kub aktual në vit në 6.1 bcm/vit, ndërsa një cikël masiv investimi në energjinë e erës dhe diellore do ta lejojë atë të bëhet një eksportues neto i energjisë, thanë analistët.

“Kroacia ka një shans të mirë për të qenë porta e energjisë për një numër vendesh fqinje të Evropës Qendrore në situatën aktuale gjeopolitike të energjisë dhe vështirësitë e importit të energjisë nga Rusia”, tha Igor Dekanić, një profesor në fakultetin e gjeologjisë dhe minierave të Universitetit të Zagrebit.

Kroacia kishte filluar të diversifikonte burimet e saj të energjisë shumë kohë përpara pushtimit të Ukrainës nga Moska, duke importuar një sasi në rritje të naftës nga Azerbajxhani dhe Kazakistani, ndërsa reduktonte rrjedhat e naftës nga Rusia në pak më shumë se një të katërtën e importeve të saj totale në vitin 2020, niveli më i ulët që nga viti 2003.

Njësia e saj e rigazifikimit në portin e Omišalj forcoi pavarësinë e Kroacisë nga gazi rus, e cila ishte tashmë më pak se 1 për qind e konsumit të saj total të energjisë deri në vitin 2020, sipas FMN. Importet e LNG, kryesisht nga SHBA, kanë zëvendësuar furnizimet ruse.

Tani Zagrebi do të përfitojë duke u bërë një furnizues më i madh i fqinjëve të detyruar të diversifikojnë importet e tyre të energjisë, duke mbledhur tarifa të rritura për transportin e naftës dhe LNG.

Hungaria, fqinji verilindor i Kroacisë, po forcon gjithashtu lidhjet e saj energjetike në Adriatikun. Grupi energjetik MOL me bazë në Budapest është varur nga tubacioni Druzhba që pompon naftën ruse nëpër Ukrainë për të furnizuar rafineritë e saj pranë Budapestit dhe Bratislavës. Ky model tani kërcënohet nga sanksionet e BE-së, dëmtimet e mundshme të luftës ose një vendim rus për të ndalur flukset, siç bëri Moska me gazin nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream.

BE-ja përjashtoi naftën e papërpunuar me tubacione nga një ndalim për naftën ruse të shpallur në maj, i cili hyn në fuqi në dhjetor, dhe së fundmi njoftoi planet për një kufi për naftën ruse. Furnizimi u ndërpre përmes Druzhba në gusht, një tjetër kujtesë për vendet në Evropën Jugore dhe Lindore për të përshpejtuar planifikimin e emergjencës.

Opsioni tjetër i MOL ishte gazsjellësi Adria, i cili fillon në Omišalj. Më në fund mund të ndihmojë Budapestin të zvogëlojë varësinë nga nafta ruse, një plan që ai hartoi për herë të parë me Jugosllavinë kur filluan diskutimet mbi një tubacion rajonal në vitet 1960. MOL po përgatit gjithashtu një përmirësim të rafinerive të saj, me një kosto të mundshme prej 500 milionë euro, në mënyrë që të mund të përpunojë përzierje më të lehta, jo-ruse të naftës së papërpunuar.

Tubacioni Adria, i operuar nga kompania kroate Janaf, mund të transportojë rreth 1 milion ton naftë në muaj. Investimet shtesë të planifikuara për të dyfishuar kapacitetin do të mbulonin nevojat e rafinerive në Hungari, Sllovaki dhe Serbi, tha ai.

Hungaria dhe Serbia javën e kaluar thanë se do të ndërtonin një degë që lidhet me gazsjellësin Druzhba për të siguruar që Beogradi të vazhdojë të marrë naftë ruse më të lirë.

Janaf ka rritur çmimet e tij për të pompuar naftën e papërpunuar te fqinjët, thanë njerëz të njohur me këtë çështje. Rritja e kapacitetit të importit të LNG në Omišalj në më shumë se dyfishin e konsumit vjetor të Kroacisë duhet të rrisë rolin rajonal të Zagrebit.

“Kjo do ta bëjë me të vërtetë Kroacinë një qendër rajonale të energjisë”, tha kryeministri Andrej Plenkoviç muajin e kaluar.

Kroacia mund të kishte marrë tashmë një rol shumë më të madh si një qendër rajonale e importit të naftës dhe gazit nëse nuk do të vononte dhe do të zvogëlonte ndërtimin e terminalit të saj LNG për një dekadë, tha András Simonyi, një ekspert energjetik në Qendrën Globale të Energjisë të Këshillit Atlantik.

Me vijën e gjatë bregdetare të Adriatikut, Kroacia po shikon zhvillimin e shpejtë të energjisë diellore dhe të erës, thotë Dražen Jakšić, drejtor i Institutit të Energjisë Hrvoje Požar të Zagrebit. Ekziston një interes i fortë i investitorëve për të mbështetur projekte të reja që do të rrisnin në masë të madhe kapacitetin aktual gjenerues të energjisë së pastër të Kroacisë prej pak më shumë se 1 GW, shtoi ai.

Marrë nga Financial Times, pështatur për Albanian Post