Lajme

Kriptovalutat kanë marrë një rol të rëndësishëm edhe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos


Edhe në forumet e mëdha ekonomike, nuk mund të mungonin kriptot.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) – i anuluar në vitin 2021, i shtyrë më parë këtë vit – fillon zyrtarisht të martën në Davos, Zvicër.

Mbrojtësit e kriptomonedhave hapën stendën e tyre që të dielën, me tezgat e picave me bitcoin (BTC) dhe pavijonet blockchain me pankarta të ndezura që rrethonin shëtitoren e famshme.

Pjesëmarrësit e WEF u bombarduan me tabela që reklamonin emetuesin e monedhave të qëndrueshme Circle dhe brokerimin e kriptove Bitcoin Suisse, ndërsa zbrisnin nga avionët e tyre në Zyrih apo nga trenat në Davos.

“Pesë vjet më parë, ne ishim e vetmja kompani kripto në Promenade”, tha Sandra Ro, CEO e Këshillit Global të Blockchain Business (GBBC).

Ndoshta asgjë nuk e njoftoi mbërritjen e industrisë së turbullt të kriptove në tryezën më të madhe të biznesit në botë, sesa fakti që vetë WEF po zhvillon diskutime serioze rreth parave digjitale, me pjesëmarrësit e industrisë si lojtarët kryesorë.

Jeremy Allaire, kryetar dhe CEO në Circle Pay, dhe Brad Garlinghouse, CEO i Ripple, u ulën krah për krah të hënën për të diskutuar remitancat dhe paratë digjtale në një konferencë në fshatin mediatik të WEF.

Paneli, i titulluar “Remitancat për rimëkëmbje: Një epokë e re e parave digjitale”, përfshinte gjithashtu Asif Saleh, drejtor ekzekutiv i BRAC, një organizatë joqeveritare zhvillimore me qendër në Bangladesh.

Forumi priti gjithashtu një diskutim mbi të ardhmen e ekonomisë globale, ekonomisë së SHBA-ve dhe vetë monedhave digjitale të bankës qendrore (CBDC).

Kjo nuk do të thotë se liderët globalë të forumit po i pranojnë kriptovalutat – por ata nuk po e injorojnë atë.

Zvarritja

Një panel me CEO-në e Nasdaq, Adena Friedman, CEO i PayPal (PYPL), Dan Schulman, senatori amerikan Pat Toomey dhe ekonomisti Jason Furman që supozohet se u fokusua në të ardhmen e ekonomisë amerikane vazhdoi diskutimin mbi kriptomonedhat.

“Për shumë vende në mbarë botën, monedhat digjitale të bankës qendrore (CBDC) mund të kenë kuptim, por nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë ato”, tha Furman, profesor i ekonomisë në Universitetin e Harvardit.

Toomey prezantoi një projektligj për të rregulluar monedhat e qëndrueshme, duke pyetur për rolin e një CBDC në një botë ku lulëzojnë monedhat e qëndrueshme private.

“Unë mendoj se ne duhet të kemi një kornizë që lejon që monedhat e qëndrueshme të emetuara privatisht të lulëzojnë në një kornizë racionale dhe nëse kjo ndodh, nuk jam i sigurt se sa na nevojitet dollari digjital”, tha ai.

Një panel tjetër i fokusuar në ekonominë globale solli gjithashtu propozimin e vlerës së bitcoin dhe disa kriptomonedhave të tjera.

“Brezi i ri thotë se brezi i vjetër ka zhvlerësuar dollarin ose vlerën e monedhave të tjera, kështu që ndoshta diçka e re nuk është aq e keqe”, tha David M. Rubenstein, bashkëthemelues i Carlyle Group, në një panel që diskutonte të ardhmen e ekonomisë globale në kushtet e rritjes më të ngadaltë ekonomike dhe pasojave nga sanksionet.

Prania zyrtare

Panelet që synonin zyrtarisht të diskutonin mbi kriptovalutat shkuan shumë më thellë.
Garlinghouse dhe Allaire komentuan gjerësisht të ardhmen e financave dhe nevojën urgjente për qartësi rregullatore në botën e kriptove gjatë panelit të tyre të remitancave.

Sipas Allaire, kompania e të cilit emeton monedhën USD (USDC), një aktiv kripto i lidhur me vlerën e dollarit amerikan, bota po zhvendoset në një vend ku koncepti i një pagese ndërkufitare do të jetë po aq “normal” sa koncepti i një emaili ndërkufitar.

“Ne nuk mendojmë për emailet ndërkufitare. Ne nuk mendojmë për të pasur një seancë ndërkufitare të shfletimit të internetit, është absurde të mendosh për këtë. Dhe besoj se jemi në prag të kësaj edhe me paranë. Dhe mendoj se kur bëhet fjalë për remitancat, besoj se koncepti i dërgesës do të zhduket gjithashtu”, tha Allaire.

Garlinghouse, kompania e së cilës Ripple është aktualisht e përfshirë në një padi të ngritur nga Komiteti i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve të SHBA-ve mbi shitjen e tokenit digjital XRP në 2013, paralajmëroi se qeveritë kontrollojnë sistemet financiare dhe tha se nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi mungesën e sigurisë rregullatore në sektorin e kriptove, Garlinghouse tha se qartësia rregullatore është një problem që duhet zgjidhur, duke shtuar se SHBA-të kanë mbetur prapa në vendosjen e rregullave të qarta për sektorin e kriptove.

“Unë them të mos e inkorporoni në SHBA, sepse është mjedis armiqësor dhe i pasigurt. Ka qartësi shumë më të mirë në Japoni dhe Singapor, ose ejani këtu në Zvicër për të investuar globalisht duke pasur më shumë qartësi dhe më shumë siguri”, tha Garlinghouse.

Allaire, i cili ka marrë pjesë në konferencën e Davos që nga viti 2008, i tha agjencisë mediatike të kriptove CoinDesk se kriptovalutat kishin arritur një nivel të ri të rëndësisë në WEF dhe shpresat për vitin e ardhshëm janë tashmë të larta.

Allaire e mbylli panelin duke thënë se një vit nga tani, ai shpreson se sektori i kriptove do të vijë në tryezë me më shumë shembuj zgjidhjesh që funksionojnë për njerëzit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore