Shqipëria

Krijimet e Amarildos janë vetë ai


Nisi të pikturonte ende pa u ngritur mirë në këmbë.

Prandaj dhe beson fort se “artisti brenda nesh është i lindur”. Më pas, të ndjek gjatë gjithë rrugëtimit të jetës.

Mënyra se si i përjeton gjërat, ndjesitë që merr, frymëzimin e shumë elemente të tjera, jetojnë bashkë me të dhe shpalosen më vonë në vepra.

Është ai, piktori, Amarildo Ruçi.

Leksionet në pikturë i ka marrë që në vogëli, në moshën 7-vjeçare. Pastaj, gjithçka ka qenë një “rrugëtim shumë i gjatë dhe i bukur deri sot”.

Krijimtaria artistike ka periudhat e veta sipas piktorit dhe vjen natyrshëm…. “jeton me të çdo moment si të ecësh brenda një tuneli që s’ka fund të pikturuar nga të gjitha anët”.

Bindshëm thotë për Albanian Post se “krijimet e mia janë UNË”.

Se natyra surrealiste e ka ndjekur që të vogël. Çdo ditë e ka njohur edhe më shumë veten, “nganjëherë edhe nëpërmjet krijimtarisë” së tij.

Për Amarildon, është ngjashëm si një lloj bashkëbisedimi mes atij vetë dhe pikturës që realizon. “Si një trup i vetëm”.

Ai mendon se një nga boshtet e surrealizmit është edhe subkoshienca e mendjes njerëzore. “Shpeshherë, më ndodh të mos jem i vetëdijshëm. Por krijimtaria lind natyrshëm”.

Artisti riosh nuk e anashkalon dot lidhjen e ngushtë të artit me mendjen dhe shpirtin, i sheh të pandara. Paçka se “ura që i bashkon është këto të dyja është e padukshme, gjithmonë është aty”.

Të pandara nga njëra-tjetra i sheh edhe krijimet e tij artistike. Sepse secila prej tyre ka “veçantinë” që e karakterizon.

Por edhe sepse emocionet që merr prej secilës janë të ndryshme dhe kanë rëndësinë e tyre.

“I dua njësoj të gjitha veprat. Për atë çka përcjellin te unë në momentin e realizimit të tyre, por edhe më pas”. Kështu e prezanton ai lidhjen me pikturat e tij.

Veçantia, përpos punimeve përfundimtare, qëndron edhe te procesi i realizimit. Amarildo pikturon pa ndihmën e penelit. Afria e tij me pikturën duket se s’ka barriere. Pikturon me gishta.

Ka gjashtë vite që e aplikon këtë teknikë. Dhe përmes saj, ka mbajtur “nëntë ekspozita personale dhe shumë të tjera të përbashkëta”.

Ai rrëfen se ka qenë një moment jo i menduar. “Më tepër emocional, si pjesë e frymëzimit artistik për ta realizuar pikturën në këtë formë”.

Është pjesë e personalizimit të tij si artist, përpos pjesës së ideologjisë së tij artistike.

Në rastin e performancave artistike, siç ai ka mbajtur shpesh për shikuesit, teknika është një element “mjaft tërheqës”.

Madje, së shpejti, në qendër të Tiranës, piktori i talentuar do të realizojë një performancë që do të mbajë titullin “Pre Louvre”.

Atje, shikuesit mund të përjetojnë një emocion të veçantë gjatë realizimit të veprës. Dhe data e performancës do të bëhet e ditur së shpejti në llogaritë personale të tij në mediat sociale.

Pse “Pre Louvre”?!

“Louvre është ëndrra që po bëhet realitet”.

Ai beson se në jetë, arritjet vijnë edhe në formën e një shpërblimi të mundit dhe të asaj çka ke dhënë për personin tënd, për ëndrrën.

Mezi pret që veprat nën emrin e tij ta gjejnë veten në murin e ekspozitës që do të mbahet në Muzeun e Louvre-it.

Përpos të gjithave, për këtë arritje ndjehet “shumë i vlerësuar”.

Amarildo tregon se salla e ekspozitave të artit konteporan në Louvre mirëpret mesatarisht 15 mijë vizitorë në ditë.

Panairi prestigjioz “Focus Art Fair” në të cilin do të marri pjesë do të përfshijë 35 nacionalitete të ndryshme artistësh. Ndër to do të jetë edhe ai “si përfaqësues i artit tim, por edhe si ambasador ‘artistik’ i Shqipërisë”.

Të paraqitura do të jenë pesë vepra. Kurse një tjetër vepër do të jetë pjesë e një fashion show, i cili do të mbahet ditën e tretë të ekspozitës.

Edhe pse ndjesinë e vërteta do t’i përjetojë gjatë ekspozitës, emocionet që ai ka tani “janë të rralla, të mëdha”.

Por kjo nuk është e para herë që arti i Amarildos i thyen kufijtë dhe ndërkombëtarizohet.

Ka ekspozuar edhe më parë në Evropë.

Në Milano ka realizuar “dy ekspozita personale, ku më e rëndësishmja është në ‘Grossetti Arte’, një galeri mjaft prestigjioze”.

Tjetër, në Berlin, ka realizuar një performancë në një nga panairet më të mëdha të turizmit, ku përfaqësonte Shqipërinë.

Po ashtu ka realizuar ekspozita personale edhe në Kosovë.

Ai zbulon se ndjesitë nga njëra te tjetra i ka të ndryshme. Njëra dallon: “Në Itali jam ndjerë mjaft mirë dhe ka shënjuar një moment të rëndësishëm në karrierën time”.

E megjithatë, maja e piramidës artistike të Amarildos është në Louvre. “Është momenti më i rëndësishëm në karrierën time artistike. Këtë po e përjetoj çdo ditë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore