Shqipëria

Kreu i grupit të PD-së kthehet në çështje mes Bardhit dhe Felajt


Çështja e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është kthyer në një çështje në seancën plenare të 21 shtatorit.

Kjo, pasi 27 deputetë demokratë kanë dërguar njoftim se zgjedhin Gazment Bardhin si kreun e grupit.

Por zëvendës kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj nuk e lexoi duke thënë nuk është një njoftim i ri por konfirmim dhe se kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka mbajtur njëherë qëndrimin mbi këtë çështje.

“Shkresa mban datën e sotme, është paraqitur pak para seancës. Vërehet re që ka një replikë me kryetaren për çështjen e qëndrimit që Kryetarja e Kuvendit shprehet mbi diskutimet e grupit. Këtë nuk e konsiderojmë një njoftim për ta lexuar në Kuvend. Nuk është një njoftim i ri”, theksoi ajo.

Kjo deklaratë solli reagimin e Bardhit, i cili i tha se Felaj si drejtuese e seancës është e detyruar ta lexojë.

“E para, ju nuk çmoni dot njoftimet e Grupit të PD-së, detyra juaj është të lexoni njoftimet. Nuk ka asnjë replikë për çështjet tona të brendshme me kryetaren. Se kuptoj pse s’keni guxim ta lexoni. Thuhet në mbledhje është marrë ky vendim. E kemi paraqitur sipas rregullores. Jeni e detyruar ta lexoni. Nuk jeni ju që interpretoni vendimet tona, ju thjesht informoni seancën”, sqaroi përfaqësuesi demokrat.

Në prag të seancës plenare të 21 shtatorit, 27 deputetë demokratë (nga 35 gjithsej – ed.) kanë dërguar një vendim drejt Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Sipas dokumentit, ata deklarojnë se njohin Gazment Bardhin si Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Deputetët që kanë firmosur janë: Agron Gjekmarkaj, Asllan Dogjani, Bledion Nallbati, Bujar Leskaj, Dashnor Sula, Dhurata Çupi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Ferdinand Xhaferaj, Flamur Hoxha, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Helidon Bushati, Ina Zhupa, Isuf Çelaj, Jorida Tabaku, Kastriot Piroli, Lefter Gështenja, Lindita Metaliaj, Ludovik Hasanaj, Qani Xhafa, Ramadan Likaj, Saimir Korreshi, Sorina Koti, Tomor Alizoti, Xhelal Mziu dhe Zheni Gjergji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore