Lajme

Kreu i AAK-së shpreson në përshpejtimin e njohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë


Ramush Haradinaj dhe Papa Françesku

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, uroi besimtarët katolik për festën e Krishtlindjes, qytetarë e miq ndërkombëtar, derisa postoi një fotografi në “Facebook” të dielën, ku shihet duke u përshëndetur me Papa Françeskun gjatë një vizite në Selinë e Shenjtë.

Ish-kryeministri i Kosovës deklaroi se shpreson në përshpejtimin e njohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë, pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa uroi shqiptarët që festa e Krishtlindjes të sjellë paqe në çdo shtëpi dhe të ndriçojë rrugën për një vit të plotë harmonie, shëndet dhe lumturi.

“Uroj veçanërisht Atin e Shenjtë, Papa Françeskun dhe bashkëpunëtorët, duke shpresuar për njohjen sa më parë të Kosovës nga Selia e Shenjtë. Uroj që Krishtlindja të sjellë paqe në çdo shtëpi dhe të ndriçojë rrugën për një vit të plotë harmonie. Për ju dhe familjet tuaja, dëshiroj një jetë të mbushur me paqe, shëndet dhe lumturi! Për shumë mot Krishtlindja!”, shkroi ai.

Selia e Shenjtë ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndonëse shteti kosovar ka përfaqësuesin e vet dhe kërkesa për njohje ekziston prej kohësh në Vatikan. Megjithatë, në Selinë e Shenjtë nuk kanë munguar as takimet e herëpasherëshme të Papa Françeskut apo të Sekretarëve të Shtetit me zyrtarë të lartë kosovar, përfshirë kryeminstra, ministra e presidentë të Kosovës.

Gërvalla njoftoi hapjen e “një zyre të re” para vitit të ri – AP kupton se bëhet fjalë për Vatikanin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore