Kosova

Krerët institucionalë dhe opozita nderojnë ish-presidentin Rugova


Ilustrim

Me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i tij.

Pas vendosjes së kurorave me lule, Osmani në një fjalim rasti, ka nderuar lartë jetën dhe veprën e ish-presidentit Rugova. Sipas saj Rugova iu dha zë të gjitha kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Osmani, mes tjerash, tha se ashtu siç Rugova ndërtoi miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta ashtu do të vazhdojnë t’i ruajnë këto aleanca në rrugën përpara të vendit.

“Ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta e të rënda ashtu do i ruajmë këto aleanca në rrugën tonë përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm është kujtimi për të , trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe në brezat e ardhshëm”, tha presidentja Osmani.

Në anën tjetër për Kurtin, Rugova duhet kujtuar për qëndrimin intelektual, sjelljen paqësore, çështjen humaniste dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Homazhe të varri i Rugovës ka bërë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar me bashkëpunëtorë.

Për Abdixhikun sot e kësaj dite ndihet mungesa e Rugovës, urtësisë së tij, politikës së tij dhe vizionit të tij për një Kosovë demokratike e ndërlidhur ngushtë me rrugëtimin euro-atlantik dhe drejt së ardhmes.

“Ibrahim Rugova ishte ati themeltar i shtetit të Kosovës, ishte prijësi i shtetit dhe prijësi unik i lëvizjes më të madhe nacionale të shqiptarëve. Po ashtu, ishte shqiptari më i madhi i historisë së popullit shqiptarë dhe angazhimi i tij për liri, pavarësi dhe demokraci është suksesi më i madh historik i shqiptarëve dhe vet popullit të Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.

Rugovën në ditën e vdekjes së tij e ka kujtuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka shkruar se Rugova do të mbetet përjetësisht në kujtimet si një njeri ndër personalitet kryesore që tërë jetën e tij ai kushtojë lirisë së vendit dhe i vuri themelet e shtetit të pavarur.

“E kisha për nder që të bashkëpunoj me të në ditët e para të lirisë e në një periudhë kritike të shtetndërtimit. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt shembullin dhe vizionin e tij”, ka shkruar Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore