Aplikacione

Kremlin/ Goditja ndaj internetit shkakton ndërprerje të mëdha


Në Kremlin, goditja e faqeve të internetit të lidhura me politikanin opozitar të burgosur, Alexei Navalny dhe teknologjinë e përdorur për të shmangur ndalimet në internet, po shkaktojnë ndërprerje të mëdha të internetit për publikun rus.

Kështu kanë bërë me dije monitoruesit e faqeve, firmat e lojërave online dhe kritikët e qeverisë, sipas agjencisë së lajmeve, “Reuters”.

Problemi vë në pah se si mjetet e reja që rregullatori shtetëror i komunikimit, Roskomnadzor, po vendos për të ushtruar kontroll më të madh mbi internetin, po shkaktojnë dëme të padëshiruara kolaterale.

Një grup që monitoron qasjen e faqeve të internetit në Rusi, GlobalCheck, ka njoftuar se kishte pasur një ndërprerje të madhe pasi Roskomnadzor bllokoi shërbimet e internetit të përdorura gjerësisht në përpjekjen e vet për të parandaluar hyrjen në një aplikacion të ndaluar të mbështetur nga aleatët e Navalny-t.

Mirëpo, grupi shpreson të përdorë aplikacionin për të organizuar një fushatë taktike votimi për t’i dhënë një goditje partisë në pushtet në zgjedhjet parlamentare të javës së ardhshme. Kjo pasi qeveria dëshiron që aplikacioni të ndalohet nga dyqanet online.

Situata kaotike vjen teksa Roskomnadzor bllokoi shërbimet e sistemit të emrit të domain-it (DNS) të Google-it dhe firmës së sigurisë në internet Cloudflare, të cilat kompjuterët i përdorin për të përputhur adresat e faqeve të internetit me serverët e duhur.

Si pasojë e kësaj lëvizjeje, pjesët e internetit u rrëzuan për afro një orë të mërkurën e 8 shtatorit në mbrëmje, ka treguar eksperti i IT-së, Mikhail Klimarev.

“Nuk ka dyshim se bllokimi po ndodh si pjesë e luftës me aplikacionin e Navalny-t”, ka theksuar GlobalCheck. Aplikacioni i Navalny-t përdor të njëjtin lloj shërbimesh DNS që ishin në shënjestër, ka shtuar grupi.

Nga ana tjetër, rregullatori i ka thënë Apple-it, Google-it, Cisco-s dhe Cloudflare-it, të ndalojnë ofrimin e aplikacionit të Navalny-t me mjetet për të anashkaluar përpjekjet e tij bllokuese.

Gjithashtu pretendohet se ka kërcënuar dy kompanitë teknologjike, Apple dhe Google, me gjoba.

‘Histeria në rritje’

Sipas “Reuters”, aleatët e Navalny-t, lëvizja e të cilëve u ndalua si ekstremiste këtë verë, kanë deklaruar të enjten e 9 shtatorit se funksionaliteti celular i aplikacionit të tyre kishte rënë në rreth 80 për qind.

Dhe se ky keqfunksionim i përkohshëm nuk do të prishë planin e tyre të votimit.

Nisur nga kjo, fushata u kërkon ndjekësve të regjistrohen për të caktuar një kandidat, i cili gjykohet se ka shansin më të mirë për të mposhtur partinë Rusia e Bashkuar në zonën e tyre zgjedhore.

Një nga levat e fundit që Navalny, kritiku më i egër i presidentit rus, Vladimir Putin, ka lënë për të ndikuar në politikë pas burgosjes së tij këtë vit për shkelje të lirimit me kusht, një dënim që ai e quan të falsifikuar.

Klimarev ka shtuar se përpjekjet për të bllokuar aplikacionin ka të ngjarë të arrijnë kulmin javën e ardhshme përpara zgjedhjeve në 17-19 shtator.

“Me zgjedhjet e ardhshme po rritet histeria rreth votimit të zgjuar dhe gjithçka po bëhet për ta bllokuar atë. Të gjitha gabimet në rrjete lidhen me këtë”, ka theksuar ai.

“Reuters” tregon se vitet e fundit, Rusia ka miratuar një sërë legjislacioni për të rritur “sovranitetin” e saj në internet dhe ka investuar në mjete digjitale për ta bërë policinë në internet më të sofistikuar.

Lidhur me këtë, Moska ka filluar të bllokojë rrjetet private virtuale (VPN), duke argumentuar se ato u mundësojnë përdoruesve të internetit në Rusi të kenë qasje në përmbajtje të ndaluar. Në fillim të këtij muaji, ajo ka bllokuar gjashtë ofrues VPN.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore