Lajme

Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë: Ishin me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar të mërkurën ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Hagë, të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte, ku ka thënë se i ka gjetur me moral të lartë dhe besim plotë në të drejtën e tyre.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se ndonëse liria e tyre është e kufizuar, “shpirti i tyre mbetet i pathyer”.

“Pas gati gjashtë muajsh, sot vizitova përsëri Presidentin [Hashim] Thaçi dhe Kryetarin [Kadri] Veseli në Hagë. I gjeta ashtu siç i kisha lënë herën e fundit: me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Kosovës dhe në të drejtën e luftës së shenjtë të popullit tonë për liri”, shkroi Krasniqi.

“Të gjithë bashkëndjejnë dhe jetojnë çdo ditë me fatin e Kosovës dhe qytetarëve tanë. Ndonëse liria fizike e tyre është e kufizuar, shpirti i tyre mbetet i pathyer”, shtoi.

Lideri i opozitës potencoi se fjalët, qëndrimi dhe kurajo e tyre, “më bindin në secilën vizitë se të tillë do të mbeten deri në ditën e madhe të rikthimit në atdhe”.

“Megjithatë, qëndrimi i tyre i padrejtë në këtë vend, vazhdon të na rikujtoj sakrificat dhe çmimin e lartë të lirisë – që populli ynë vazhdon të paguaj edhe pas 25 vitesh”.

Krasniqi pohoi se nga Thaçi e Veseli “keni të fala të gjithë, pa përjashtim, nga çlirimtarët tanë”.

“Pa dyshim, dielli do të lind përsëri!”, përfundoi.

Edhe më 15 korrik të vitit të kaluar, Krasniqi kishte vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, Krasniqi kishte thënë se “sot, në Hagë, vizitë çlirimtarëve tanë, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për të shprehur edhe një herë respektin dhe mirënjohjen për kontributin e tyre historik”.

“Liria jonë – ishte lufta e tyre. E ardhmja jonë – ishte misioni i tyre. Kosova – ishte dhembja dhe dashuria e tyre”, shkroi ai në “Facebook”.

Dje, sot e përgjithmonë, pohoi ai “ata janë krenaria jonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore