Kosova

Krasniqi: Shteti i dha goditje të fuqishme lirisë së shprehjes dhe drejtësisë së pavarur – mentalitet autoritar e antikushtetues


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka konsideruar se demokracia, liria e shprehjes dhe drejtësia e pavarur u goditën fuqishëm nga shteti/pushteti, pas miratimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga ligjvënësit kosovarë.

Krasniqi ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i çojë këto dy ligje në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar miratimin e ligjeve të kontestuara edhe nga ndërkombëtarët “vazhdimësi të mentalitetit autoritar dhe antikushtetues” të qeverisë aktuale nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

“Sot, fatkeqësisht, demokracisë, lirisë së shprehjes, si dhe drejtësisë së pavarur nga pushteti, në kundërshtim edhe me çdo praktikë dhe standard evropian, iu dha një goditje e fuqishme nga vetë shteti i cili është i thirrur për t’i mbrojtur e mbështetur këto liri e këto parime”, ka shkruar Krasniqi.

“PDK-ja do ta kundërshtojë këtë qasje populiste që po e dëmton perspektivën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe raportet e mira me aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët me kohë dhe zëshëm i kanë kundërshtuar ligjet e kaluara sot nga pushteti aktual”, ka shtuar mes tjerash kreu i PDK-së.

Ndryshe, pavarësisht vërejtjeve dhe sugjerimeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Këshillit të Evropës (KiE) që projektligjet të ndryshohen për shkak të mospërputhjeve ligjore dhe standardeve evropiane, legjislativi kosovar ka miratuar të enjten projektligjin për KPK-në dhe KPM-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore