Krasniqi pranon ftesën e Kurtit për takim, do të kërkojë caktimin e datës së zgjedhjeve
Ilustrim Memli Krasniqi dhe Albin Kurti
Dreni Himbeqa
11.05.2024 14:42Partia Demokratike e Kosovës e ka pranuar ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një takim pune.
Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
“Mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim”, ka thënë Abdullahu për AP.
Pjesëmarrja e Krasniqit në këtë takim, sipas Abdullahut, do të jetë në funksion të diskutimit të mundësive për caktimin e datës për zgjedhje të reja.
“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka vendosur ende a do të pranojë apo jo ftesën e kryeministrit Kurti për takim.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ndërsa ka konfirmuar për Albanian Post ftesën e kryeministrit drejtuar kryetarit Ramush Haradinaj, ka potencuar se “sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim”.
“Mund të ju konfirmoj që kryetari Ramush Haradinaj bashkë me drejtuesin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë pranuar ftesë nga z. Kurti për takim, të hënën në ora 18:30. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim”, ka thënë Xhemaili për Albanian Post.
Ndonëse Xhemaili nuk ka dhënë detaje shtesë për arsyen e takimit ose për temën që pritet të diskutohet, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, të shtunën ka potencuar se takimi i cili pritet të mbahet të hënën ka për synim koordinimin me opozitën për agjendën e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.
Albanian Post gjatë ditës ka tentuar ta kontaktojë edhe LDK-në për të marrë një qëndrim lidhur me ftesën e Kurtit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
Hoti thotë se Kurti ka kërkuar takim me liderët e partive opozitare