Lajme

Krasniqi paralajmëron masa ndëshkuese ndaj 8 komunave: S’raportuan në sistemin e performancës


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në takimin e përbashkët me kryetarët e komunave, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se 8 komuna për dy vite nuk kanë raportuar në sistemin e performancës, për këtë arsye ai ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj tyre.

Krasniqi, si komunë të parë e ka theksuar atë Skenderajit që ka qenë edhe komunë përfituese.

“Në dy vitet paraprake janë disa komuna që nuk kanë raportuar në sistemin e performances komunale. Në vitin 2021 është Skenderaj, ndërsa në vitin 2022 është njëra ndër komunat përfituese me mbi 1 milionë euro”.

“Në vitin 2022, janë Ferizaji, Shtërpca, Novobërda, Kllokoti dhe katër komunat e Veriut të vendit, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku”, ka deklaruar ai.

Duke, thënë se janë duke bashkëpunuar me njërin nga komisionet parlamentare për të përgatitur masat ndëshkuese ndaj tyre.

Ministri Elbert Krasniqi, gjatë takimit me komunat.

“Jam duke diskutuar me anëtarët e komisionit parlamentar përkatës që të bëhet plotësim/ndryshimi i ligjit dhe të parashihen masat penalizuese, për komunat që nuk raportojnë në sistem”.

“Po ashtu, ju bëj thirrje komunave për aplikim për programin për projektet infrastrukture, që është i hapur deri me datën 28 shkurt”.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mohuar se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për vitin 2024 për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje, siç thuhet në një analizë të Institutit për Studime të Avancuara (GAP).

Kreu i Qeverisë ka theksuar se buxheti i vitit 2024 është gati dy herë i lartë krahasuar me atë të vitit 2023.

Sistemi i performances përmban informacionet për qëllimin, fushëveprimin, ndërtimin , funksionimin, sigurimin e cilësisë së të dhënave për komunat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore