Kosova

Krasniqi në Gjermani: Diaspora rikonfirmoi mobilizimin e madh dhe rritjen e pandalshme të PDK-së


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, derisa ka njoftuar për pjesëmarrjen në kuvendin e parë zgjedhor në Gjermani, ku Shahin Dervishaj u zgjodh kryetar i degës, ka theksuar se dega e parë e PDK-së “rikonfirmoi mobilizimin e madh dhe rritjen e pandalshme” të subjektit që e drejton prej vitit 2021.

“Në Baden Württemberg, me pjesëmarrjen e qindra delegatëve, mbajtëm Kuvendin e parë zgjedhor në Gjermani. Shahin Dervishaj u zgjodh Kryetar i Degës së parë të PDK-së, nga gjashtë sa kemi në këtë shtet”.

“Edhe ky kuvend, sikur në të gjitha shtetet e tjera ku i kemi themeluar deri tash degët tona në mërgatë, rikonfirmoi mobilizimin e madh dhe rritjen e pandalshme të PDK-së kudo ku jetojnë bashkëatdhetarët tanë…Në misionin tonë për ta kthyer Kosovën në rrugën e duhur dhe të denjë për ëndrrat e fëmijëve tanë – do të jemi gjithmonë bashkë”, ka shkruar Krasniqi.

Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak se mandati i ekzekutivit aktual kosovar nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) përfundon në fillim të vitit 2025, përkatësisht në janar/shkurt – ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale politike, posaçërisht në dialogun Kosovë-Serbi, mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk mund përjashtohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore