Kosova

Krasniqi me ambasadorin e Francës diskutojnë për situatën politike dhe të sigurisë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, të enjten është takuar me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar për situatën politike dhe atë të sigurisë.

Takimin e ka bërë të ditur Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë ato politike dhe të sigurisë. Ambasadorin Guerot e falënderova për vizitën dhe diskutimin e frytshëm që kishim bashkë. PDK, si gjithmonë, do të vazhdojë kontributin e saj të pandalshëm në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi.

Më 29 prill, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, njëjtë si kolegu i tij nga Gjermania, Jorn Rohde, kishte kërkuar që Qeveria e Kosovës ta dërgojë draft-statusin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Në atë mënyrë që Kosovës t’i rriten gjasat për anëtarësim në Këshillin e Evropës, meqë në vlerësimin e tij ka disa shtete që hezitojnë të votojnë pro hyrjes së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Megjithatë, rruga e vendit devoji krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme evropiane të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.

Arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore