Lajme

Krasniqi: Kurti i pranoi vetë pasaportat e strukturave paralele – vendimi i BE-së nuk piku nga qielli


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në një intervistë për Radio Televizionin 21 (RTV21) të enjten, dekaroi se vendimi i Bashkimit Evropian (BE) për njohjen e pasaportave të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë për serbët e Kosovës është rrjedhojë e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) – organi kryesor përgatitor i Këshillit të BE-së – u pajtua me propozimin e Parlamentit Evropian (PE) dhe Komisionit Evropian (KE) për ndryshim të rregullores për poseduesit e pasaportave serbe të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Megjithatë, kreu i PDK-së ua drejtoi gishtin autoriteteve kosovare.

Ai theksoi se pasaportat e lëshuara nga strukturat paralele serbe i pranuan fillimisht kryeministri dhe zëvendëskryeministri i Kosovës – Albin Kurti dhe Besnik Bislimi – në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke shtuar se ky vendim “nuk piku nga qielli”, por ekskluzivisht nga pajtimi fillestar i krerëve institucionalë në procesin e negociatave me Serbinë.

Komiteti i PE-së për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme (LIBE) miratoi më 9 prill raportin për heqjen e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe. Ky raport u votua me 34 vota pro, shtatë kundër dhe 12 abstenime, ndërsa do të hidhet në votim në seancën plenare të PE-së midis 22 dhe 25 prillit në Strasburg.

Kjo do të jetë seanca e fundit e përbërjes aktuale të PE-së sepse midis 6 dhe 9 qershorit do të mbahet cikli i ri zgjedhor për ulëset e legjislativit të bllokut. Dhe në këtë seancë pritet të konfirmohet mbështetja për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen, por lëvizja e lirë nuk vlen edhe për poseduesit e pasaportave ilegale serbe. Në pasaportat e lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë Kosovë, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime të Serbisë.

Përkundër se KE-ja në nëntor të vitit të kaluar propozoi përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në liberalizimin e vizave për Kosovën, një propozim i tillë nuk është aprovuar ende nga Këshilli i BE-së , për të cilën kërkohet konfirmimi paraprak në PE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore