Krasniqi: Kemi ndarë 1 milion euro për komunitetet

SHFLETO

Ministri, Elbert Krasniqi.

 

Altina Marmullaku
08.11.2022 13:17
Loading Icons...

Disa organizata të cilat kanë për qëllim qasjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në implementimin e buxheteve komunale në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë mbajtur konferencën, “Buxheti komunal i planifikuar për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”.

Gjatë diskutimit për buxhetet komunale të komunave të Ferizajt, Fushë-Kosovës, Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit, ministri i MAPL Elbert Krasniqi, u shpreh se për këtë vit janë ndarë 1 milionë euro për projekte infrastrukturore për komunitetet në Kosovë.

“Planifikimi buxhetor është pjesa më e rëndësishme për përmasimin e jetës. MAPL-ja për vitin 2022 ka ndarë 1 milion euro për projekte infrastrukturore për komunitetet në Kosovë. Në vitin 2021 Kemi krijuar një program të ri vitin e kaluar kanë qenë 3 milion euro që janë financuar projekte të ndryshme, e mira shtesë e këtyre mbështetjeve është që kanë nxitur komunat që të investojnë në zonat që për disa kohë nuk ka pasur investime”.

Konferenca :Buxheti komunal i planifikuar për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”.

Krasniqi, tutje tha sa ka pasur edhe projekte të cilat janë financuar nga Qeveria.

“Këtë vit kemi financuar mbi 28 projekte dhe do të vazhdojmë edhe vitin tjetër. Në Gjakovë ka qenë një deponi ilegale që kemi filluar ta largojmë nga aty dhe do të krijohet një park. Në 30 komuna janë caktuar zyrtarë për mbrojtje nga diskriminimi. Synimi i Qeverise është nxitja e fokusit për grupet e margjinalizuara”.

Sipas Krasniqit, “nuk mjafton vetëm angazhimi i institucioneve por duhet edhe angazhimi i vetë minoriteteve”.

Drejtoresha e Administratës në komunën e Pejës, Nita Panduri, bëri të ditur se kanë ndarë 200 mijë euro për investime kapitale në pjesët ku jetojnë më shumë komunitete.

“Për vitin e ardhshëm në komunën e Pejës  janë ndarë 269 mijë euro buxhet nga të cilat 200 mije janë për investime kapitale. Në këto 200 mijë euro do të bëhen investime në infrastrukturën në pjesët ku ka më shumë pjesëtarë nga këto komunitete, pjesa më e madhe e ndarë për komunitete është e ndarë për investime kapitale”.

“Ne funksionojmë shumë mirë në këtë aspekt kërkesat e komuniteteve adresohen saktë tek ne”, tha ajo.

Në këtë konferencë është diskutuar edhe për rekomandimet që të rritet buxheti për Zyrat për Komunitete dhe Kthim, po ashtu u kërkua që MAPL-ja të jetë monitoruese me strikte në kohën kur ndahen grandet.