Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të mërkurën në një prononcim të shkurtër për media gjatë inspektimit të punimeve në urën mbi lumin Ibër që e bashkon Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, ka ftuar komunitetin serb të marrin pjesë në takimin konsultativ për hapjen e Urës së Ibrit, që do të mbahet të enjten nga ora 11:00 në hapësirat e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.
“Takimi do të mbahet për me diskutu situatën, se cilat janë brengat për hapjen e urës. Sigurisht që ne do t’i adresojmë të gjitha brengat. Unë pres që të marrin pjesë qytetarët”.
Ai madje ka kërkuar që në takimin konsultativ të marrin pjesë edhe serbët që të mërkurën protestuan kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër.
“Besoj që është momentum shumë i mirë që të vijnë qytetarët, edhe ata që kanë protestuar dhe të diskutojmë brengat që i kanë. Pres që të ketë pjesëmarrje dhe interesim për takimin e nesërm. Nesër mund t’i përgjigjemi për secilën brengë që e kanë për situatën e sigurisë dhe raportet ndëretnike”, shtoi ai.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi për një takim konsultativ komunitetin serb ku ndër temat është edhe diskutimi për hapjen e urës së Ibrit.
“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”, shkroi Kurti në platformën sociale, Facebook.
Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.
Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com