Lajme

Krasniqi: “Asnjëherë s’kam parë këso shqetësimi nga ana e partnerëve të Kosovës – të zhgënjyer thellë me Qeverinë”


Memli krasniqi, Kryetar i Partisë Demokratike e Kosovës

“Shqetësimi për situatën aktuale në veri është vërtetë i madh”, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, para gazetarëve, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Asnjëherë më parë s’kam parë këso shqetësimi nga ana e partnerëve të Kosovës. Nuk është aspak e mirë të dëgjosh ata duke shprehur këtë zhgënjim kaq të thellë me Qeverinë e Kosovës”, u shpreh Krasniqi pasi doli nga takimi i cili u mbajt në Zyrat e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Ai tregoi se nuk kishte kërkesa specifike nga Escobar dhe Lajçak, përveç një informimi më të detajuar rreth situatës.

“Dëgjuam qëndrimet amerikane që tashmë janë të njohura. Për PDK-në, vërtetë shqetësimi për situatën aktuale është i madh. Ka një situatë që po e dëmton Kosovën, andaj kërkuam që të luajmë rolin tonë shtetëror për të ruajtur relacionet me ShBA-në dhe BE-në”, u shpreh Krasniqi.

“Zgjidhja e situatës është te Qeveria e Kosovë dhe Presidenca. Fatkeqësisht në këto dy vite kemi vetëm kriza të shkaktuara na Qeveria Kurti. Presidentja Osmani duhet të flasë edhe për përjashtimin e Ushtrisë së Kosovës nga Defender 23”, shtoi ai.

Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës është e obliguar që të forcoj raportet me ndërkombëtarët e jo të dëmtoj ato.

Ai ka treguar se si parti janë në koordinim me dy kryetarët e zgjedhur nga radhët e PDK-së në Zveçan e Zubin Potok dhe me ndërkombëtarët për veprimet e mëtejme, siç u shpreh ai, “për të shkuar përpara”.

“Unë edhe dje kam shkuar në Qabër e Kelmend dhe kam takuar kryetarët e komunave ta janë duke vazhduar punën në zyrat alternative, ashtu siç është duke e bërë punën nga zyra alternative edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, kështu që besoj që, për momentin, e rëndësishme është mos krijimi i mundësive për përshkallëzim të situatës së sigurisë, ruajtja e qetësisë dhe rruga para nesh”.

Ndërsa për dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë në veri ai tha se kjo “çështje hipotetike” nuk është diskutuar në takim me përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore