Lajme

KQZ: Rinumërohen 76 vendvotime në Kosovë


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar votat e 76 vendvotimeve apo 15 për qind.

“Deri më tani janë rinumëruar 15% apo 76 vendvotime nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe që u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur, zëdhënësi i komisioni Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, në një konferencë për medie.

Ai tregoi arsyet e këtij rinumërimi të cilat sipas tij kanë të bëjnë me “bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime) dhe kandidatëve (6 vendvotime), kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime) dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”, ka thënë Elezi.

Tutje, Elezi ka treguar se procesi i vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove me fletëvotime nga diaspora është duke vijuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

Sipas të dhënave më të fundit janë hapur rreth “25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara”, ka thënë ai.

Elezi ka thënë se arsyet e mos aprovimit të tyre janë të ndryshme.

“Pesë mijë e 78 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, tre mijë e 836 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore, 908 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë, një mijë e 551 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar dhe 467 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jo valide për identifikim”, ka thënë Elezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore