Zgjedhjet në Kosovë

KQZ: Numërimi i votave pritet të përfundojë këtë javë


Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi

Numërimi i të gjitha fletëvotimeve të dala nga procesi zgjedhorë i 17 tetorit, pritet të përfundojë gjatë kësaj jave.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

KQZ ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime.

“Ato janë duke u verifikuar. Pasi të përfundojnë këto procedura, atëherë do të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre të ardhura me postë, që do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim. Planifikojmë ta përmbyllim këtë proces gjatë kësaj jave”, tha Elezi.

Sipas ligjit për zgjedhjet, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, për komunat që nuk arritën të zgjedhin kryetarin këtë të dielë, duhet të mbahet katër javë pas raundit të parë.

Duke shtuar se “KQZ-ja është e përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me zgjedhjet për kryetar të komunave, në mënyrë që të arrijmë në afat ligjor”.

Elezi më tej ka shtuar se shpallja e rezultatit bëhet pas certifikimit të zgjedhjeve.

“Deri te shpallja vijmë pasi të përfundojnë të gjitha procedurat në QNR, pas numërimit të votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. Kështu pas përfundimit të këtij procesi, KQZ-ja mund të shpallë fillimisht e pastaj të certifikoj zgjedhjet”, tha ai.

Ndërkaq, në Kosovë të drejtë vote në zgjedhjet e 17 tetorit, kishin 1 milion e 885 mijë e 448 persona.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore