Shqipëria

KQZ/ Kërkesë për shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit pas 6 marsit


Nëpërmjet një letre drejtuar Ministrisë së Brendshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kërkuar shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit pas datës 6 mars.

Kërkesa vjen pasi në këtë datë do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashki të vendit.

“Koha nga dekretimi për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve deri në datën e zhvillimit të tyre, objektivisht mund të mos iu ketë dhënë mundësinë shtetasve me dokumente identifikimi të skaduara t’i rinovojnë ato”, thuhet në kërkesë.

Sakaq, KQZ-ja ravijëzon edhe faktin që disa bashki ku do të zhvillohen zgjedhjet përfshijnë zona të thella rurale.

Kjo mund të sjellë dekurajim të votuesve potencialë për të rinovuar dokumentet e identifikimit.

Zgjedhjet e 6 marsit

Zgjedhjet do të mbahen në 6 bashki, atë të Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Lushnjës, Vorës dhe Rrogozhinës.

Konkretisht Partia Socialiste, do të garojë zyrtarisht në zgjedhje me kryetarët aktualë të Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako dhe të Lushnjës, Eriselda Sefa.

Si dhe Majlinda Angoni për Bashkinë e Shkodrës.

Partia Demokraike kandidon me Xhemal Bushatin në Bashkinë Shkodër, me Luan Hotin në Durrës, në Dibër kandidon Luan Hakën, Rrogozhinë me Ferdinand Saraçi dhe në Vorë me Ymer Marku.

Nga ana tjetër, kandidatët e koalicionit “ Shtëpia e Lirisë” –  ku bëjnë pjesë kandidatët e Grupit të Rithemelimit të Sali Berishës – janë Bardh Spahia për Bashkinë Shkodër, Ardian Muka në Durrës, Eton Bano në Lushnjë, Premtim Kryemadhi në Dibër, Hekuran Xhani në Rrogozhinë dhe Lulzim Vrana në Vorë.

Më 2 shkurt Celibashi ka regjistruar partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.

Nga ana tjetër kujtojmë që koalicioni “Shtëpia e Lirisë” është regjistruar nga Celibashi – midis Lëvizjes Socialiste për Integrim, Komisionit të Rithemelimit dhe Partisë Demokristiane.

Mirëpo, në letër, fraksioni i Berishës brenda Partisë Demokratike, nuk do të jetë pjesë e koalicionit.

Nën argumentimin se simbolet e PD-së, nuk mund të përdoren përveçse nga Partia Demokratike. Pra, Komisioni i Rithemelimit, de jure nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve, por de facto po.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore