Lajme

KQZ-ja nuk do të hedh short të ri për zgjedhjet në Veri


Foto nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të hedh tërheqje të re të shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetar të katër komunave dhe për dy kuvendet komunale në Veri.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Albanian Post duke sqaruar se në këto zgjedhje do të vlejë renditja e subjekteve politike e dalë nga tërheqja e shortit më 7 dhjetor të vitit 2022.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të organizojë tërheqje të re të shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetarë të katër komunave dhe për dy kuvendet komunale”.

“Arsyeja qëndron në faktin se gjatë procesit të ri për aplikim të subjekteve politike dhe kandidatëve, nuk ka pasur ndonjë të tillë. Kjo do të thotë se në proces zgjedhor janë subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar vitin e kaluar dhe do të vlejë shorti i tërhequr më 7 dhjetor”, tha Elezi për AP.

Teksa shtoi se janë duke vazhduar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023”.

Elezi, ka bërë të ditur se në kuadër të këtyre përgatitjeve është edhe funksionalizimi i Zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në secilën nga këto komuna

“Në këtë drejtim jemi në kontakt me institucionet relevante, të cilat kanë rolin e tyre në aspekte të ndryshme gjatë procesit zgjedhor. Funksionalizimi i Zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve do të bëhet për të ofruar shërbimet për qytetarët dhe subjektet politike, ashtu siç kërkohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale. Të gjitha informacionet e nevojshme do t’i bëjmë publike me kohë”.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Osmani më tej kishte bërë të ditur se ka pranuar një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut në pjesën Veriore të vendit.

Zgjedhjet në Veri ishte paraparë që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Katër kryetarët e komunave veriore dorëheqjen e tyre e kishin dhënë të dielën e gjashtë nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore