Shqipëria

KQZ i njeh mandatin kryebashkiakut të Mallakastrës


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të premten e 2 korrikut ka dhënë vendimin për kryetarin e bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj i cili pas verifikimeve të Prokurorisë, rezultoi i dënuar në Greqi me 3 vite burg.

Sipas kryetarit të KQZ-së, Ilirian Celibashi,  Ismailaj nuk do të shkarkohet nga detyra e kryebashkiakut.

Celibashi deklaroi se Ismailaj nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar, duke shtuar se vlerësimin e veprës ekuivalente në Shqipëri krahasuar me atë të bërë në një shtet të huaj nuk e bën KQZ, por Prokuroria.

Ata na kanë thënë se vepra për të cilin ai është dënuar në Greqi, dënohet maksimalisht me gjobë në Shqipëri”.

Ndërkohë avokati mbrojtës, Besnik Strati thotë se Ismailaj nuk rezulton person i ndaluar apo i dëbuar nga Greqia, madje s’ka pasur dijeni për vendimin.

”Shqyrtimi në Gjykatën greke është zhvilluar në mungesë të Qerim Ismailaj dhe ai nuk ka pasur dijeni për vendimin. Qerim Ismailaj nuk figuron si person i ndaluar nga ndonjë autoritet i huaj apo i dëbuar nga ndonjë vend i huaj”.

Më herët, KQZ-ja vendosi shtyrjen e seancën për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të kryetarit të Bashkisë.

Mbledhja u zhvillua të mërkurën e 30 qershorit për shqyrtimin e rezultatit të prokurorisë lidhur me Ismailaj.

Qerim Ismailaj rezultoi i dënuar me 3 vite burg në mungesë në Greqi për konflikt në kohën kur ishte emigrant.

Kryebashkiaku i Mallakastrës, probleme me ligjin e dekriminalizimit

Pas denoncimit nga Partia Demokratike se kryebashkiaku i Mallakastrës bie ndesh me ligjin e dekriminalizimit, prokuroria ka ngritur një grup hetimi.

Nga hapat e ndërmarra, ka rezultuar se Qerim Ismailaj ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi.

Ismailaj nuk është kryebashkiaku i parë që denoncohet nga PD-ja për probleme me ligjin e dekriminalizimit. Edhe ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kamjaku, u akuzua për të njëtën akuzë.

Ky i fundit është akoma në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore