Kosova

KPMShCK e ktheu në punë, Ministria e largon përsëri


Ilustrim

Ministria e Industrisë, e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, ka larguar nga puna zyrtarin për cilësinë e naftës dhe produkteve të naftës në kuadër të kësaj ministrie, Ermal Kutllovcin, ani pse Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës (KPMShCK), e kishte kthyer në punë këtë të fundit, pasi i njëjti i ishte shqiptuar masa e “largimit nga shërbimi civil”.

Përpos arsyeve të cekura në vendimin e parë e të cilat i kishte anuluar KPMShCK, MINT në arsyetimin e largimit të zyrtarit në fjalë nga puna ka dhënë prononcimet e tij nëpër media, e postimet e tij në rrjetet sociale kundër Ministrisë së Industrisë.

MINT ka konstatuar se me këto veprime zyrtari Kutllovci “ka dëmtuar rënd institucionin duke bërë publike informatat e brendshme”.

MINT gjithashtu ka potencuar se deklarimet për media të zyrtarit e publikimet në rrjetin social në Facebook, kanë krijuar situata “të pa këndshme dhe dëm të pajustifikuar në opinion në raport me organin ku ka qen i punësuar”.

Megjithatë sipas zyrtari Kutllovci deklarimet e tij për media “janë bërë pas largimit nga MINT” dhe se të njëjtat kanë qenë gjithmonë në suaza të “deklarimit krejtësisht profesional e në respektim të plotë të legjislacionit në fuqi”.

“Kjo nuk e pasqyron vetëm hakmarrjen tipike, por tendencën e hapur e të shpërfaqur për cenimin e lirisë së shprehjes e të cilën na i garanton akti më i lartë juridik i këtij Vendi, Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kutllovci në platformën sociale, Facebook.

Rasti i Kutllovcit nuk është rasti i vetëm në këtë Ministri.

Arianit Krasniqi, zyrtar në Departamentin e Turizmit në Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kishte mbetur pa vendin e tij të punës, vetëm se një ditë, jashtë orarit të punës, e kritikoi politikën e Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 100 eurove.

Krasniqi konsideroi se kjo lloj ndihme nga qeveria është “lëmoshë” dhe se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mashtron me të tilla ndihma të njëhershme.

Kaq mjaftoi dhe me urdhër të ministres Rozeta Hajdari, ai u dërgua në komision disiplinor brenda ministrisë, për t’u larguar më pas tërësisht nga shërbimi civil.

Në dokumentin që kishte siguruar Albanian Post thuhej – mashtrueshëm – se Krasniqi “ka dëmtuar rëndë reputacionin e shërbimit civil dhe imazhin e Ministrisë dhe Qeverisë”.

Edhe sikur fjalitë që kishte përdorur Krasniqi për ta përshkruar Kryeministrin e Kosovës, apo ndonjë politikë të caktuara të tij, të binin ndesh me ndonjë rregullore të brendshme të ministrisë, prapë vendimi për ta dënuar atë përse shkruan, ishte i pamundur meqë të gjitha postimet i ka pasi ka përfunduar orarin e punës dhe gjithashtu jashtë ambienteve të ministrisë.

Komentet jashtë orarit dhe jashtë vendit ë punës nuk përbëjnë kurrfarë shkelje bazuar në nenin 25 të Ligjit për Zyrtarë Publik, e të cilin e ka përdorur Ministria si arsyetim për shkeljen.

Paragrafi i parë i nenit 25 të Ligjit për Zyrtarët Publik thekson se “zyrtarja/i ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitete politike dhe të shprehë bindjet partiake vetëm jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë ambienteve të institucionit publik”.

Diktatura e vendosur në MINT – Kush flet keq për Albin Kurtin dërgohet në komision disiplinor dhe mund të përjashtohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore