Kosova

KPK: Qeveria synon defunksionalizimin e sistemit prokurorial


Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas miratimit të Ligjit për KPK-në, meqë sipas këtij institucioni Qeveria në vazhdimësi ka injoruar dhe refuzuar komentet, sugjerimet dhe propozimet e përfaqësuesve të deleguar të KPK-së në grupet punuese, të formuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të ri për KPK-në.

“Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.

“Kjo tendencë e pushtetit, e zbuluar tashmë plotësisht, paraqet ndërhyrje rigoroze në sistemin prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë, duke përtërirë çdo ditë veprime dhe lloj-lloj farsash dhe insinuatash, me qëllimin e vetëm që në emër të kinse synimit të fuqizimit të llogaridhënies më të madhe në sistemin prokurorial, të arrihet ekuilibri i përbërjes me anëtarë prokurorë dhe jo prokurorë”.

Sipas reagimit të KPK-së, pushteti përmes këtij ligji po tenton kapjen dhe dirigjimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, duke cenuar mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial dhe duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.

KPK-ja ka njoftuar tutje se është bashkuar plotësisht me thirrjet dhe apelet kuptimplota për respektimin e normave dhe standardeve evropiane para miratimit të këtij ligji dhe ligjeve të tjera në Kuvend, duke kritikuar ashpër qasjen e pushtetit lidhur me cenimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të vendit, siç është KPK-ja.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, potencon se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet të pavarur dhe profesionale.

Më 11 korrik, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, vlerësoi se Qeveria “nuk i ka marrë parasysh komentet” e Unionit për Projektligjin për Zyrtarët Publik, atë për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Megjithatë, përkundër kërkesave të BE-së, Kuvendi me 61 vota për miratoi Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Asnjë deputetë nuk votoi kundër.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore