Lajme

Kovaçevski jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të LSDM-së, pas humbjes në zgjedhje


Dimitar Kovaçevski

Ish-Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kryetar i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

Lajmi u bë i ditur nga LSDM-ja, përmes një komunikate për media, derisa dorëheqja e tij vjen pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 8 majit në Maqedoni të Veriut.

“Ju njoftojmë se në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, kryetari Dimitar Kovaçevski konfirmoi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LSDM-së, të cilën e kishte shpallur më 8 maj, si akt shumë moral…”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Siç është bërë me dije, në përputhje me statusin e partisë, Kovaçevski ka iniciuar mbajtjen e Kongresit të LSDM-së me qëllim të analizimit të rezultateve zgjedhore dhe deklarimit të besimit në organet e partisë, të zgjedhura nga Kongresi në funksion të rezultateve zgjedhore.

Ndryshe, LSDM-ja, e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ka marrë rezultatin më të dobët në histori të saj.

Kjo parti ka fituar vetëm 18 ulëse nga 120 sa i ka gjithsejtë Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, duke u renditur forca e tretë – për herë të parë në histori – me numër deputetësh, pas VMRO-DPMNE-së që ka marrë 59 sosh, dhe “Frontit Evropian” të Ali Ahmeti që numëron 19 deputetë.

LSDM-ja udhëheqë me Maqedoninë e Veriut për dy mandate radhazi, fillimisht me Zoran Zaevin, dhe më pas me Kovaçevskin.

Dimitar Kovaçevski ka shërbyer si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2022 deri më 2024. Në këtë pozitë ai ka ardhur pas dorëheqjes së Zaevit nga pozita e kryeministrit dhe ajo e kreut të LSDM-së – si përgjegjësi për rezultatin katastrofik në zgjedhjet komunale të 2022-së.

Deri në zgjedhjen e tij si kryeministër, Kovaçevski ka shërbyer si zëvendësministër i Financave nga viti 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore