Kosova

Kosovë: Zbritet çmimi për paraqitjen e provimit të patentë shoferit


Ilustrim

Sipas vendimit të ri të ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, çmimi i paraqitjes së provimit për patentë shofer do të jetë 10 euro.

Ndërkaq, më herët çmimi për paraqitjen e provimit nga pjesa teorike dhe praktike për secilën kategori për patentë shofer ka qenë 20 euro.

Në vendim shihen çmimet e përcaktuara sipas kategorive.

 

Përcaktimi i çmimit të provimit për patentë shofer (DOKUMENT)

MMPHI ka thënë se njoftimin e ka marrë zv.ministri Hysen Durmishi.

“Sot, me datë 22.07.2021, zëvendësministri Hysen Durmishi morri vendim për zbritjen e çmimit të paraqitjes së provimit të kandidatëve për patentë shofer prej 20 Euro në 10 Euro, përkitazi qytetarët do të paguajnë 10 Euro më pak se sa paguanin në të kaluarën”, thuhet në njoftimin e MMPHI.

Lidhur me këtë Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se janë të interesuar që shërbimet të jenë të larta e çmimet të jenë të ulëta.

“Përgjysmohet çmimi i paraqitjes së provimit për patentë shoferë nga 20 euro në 10 euro. Ngritjen e çmimit e kishte bërë ish ministri Pal Lekaj në emër të investimit në teknologji dhe përmirësim të shërbimeve. Nuk pati diçka të tillë përveçse shtrenjtim për qytetarët. Ne jemi të interesuar që shërbimet të jenë të larta e çmimet të jenë të ulëta e të përballueshme për qytetarët tanë”, thuhet në postimin e LVV.

Çmimi për paraqitjen e provimit të patentë shoferit ishte ngritur nga ish-ministri Pal Lekaj.

Kohët e fundit Durmishi është përballuar me kritika për shkak të taksës 5 euro për regjistrimin e automjeteve, të cilin opozita ka qenë e zëshme duke kërkuar që një vendim i tillë të anulohet.

Durmishi, të enjten përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se vendimi për tiketat ngjitëse është pezulluar.

Ai zgjodhi llogarinë e tij në Facebook për të dhënë arsyetimin rreth nënshkrimit të gabuar.

Shkroi se presioni publik e bëri t’i rishikojë edhe një herë dokumentet dhe këtë herë gjeti gabime.

“Kam gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën”, shkruan Durmishi, pa u shpjeguar se përse nuk i gjeti herën e parë.

“Unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë”, vazhdon ai, duke iu referuar raportit të auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinionit të zyrës ligjore të Kryeministrisë”.

Në anën tjetër, kompania tre-punëtoreshe vazhdon të mos deklarohet akoma për gjithë ngjarjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore