Lajme

Kosovë: Vetëm 8 subjekte politike të interesuara për zgjedhje, deri tani


Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Vetëm tetë subjekte politike kanë aplikuar deri tani për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Data e fundit për dorëzimin e aplikimit dhe listës së kandidatëve është 16 gushti dhe sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të ketë afat shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Albanian Post se deri tani kanë aplikuar pesë iniciativa qytetare, dy kandidatë të pavarur dhe një parti politike.

Por, Elezi thekson se “asnjëra nga këto subjekte nuk është parti parlamentare”.

Ai tha për afatin e vendosur nga KQZ-ja se është mbështetur në ligj dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet.

“Deri më 16 gusht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë aplikimet nga ana e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e vjeshtës. Ne jemi në zgjedhje të rregullta, pra edhe afatet të cilat janë vendosur nga KQZ-ja janë të mbështetura në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjin për zgjedhjet lokale, prandaj, nuk ekziston mundësia për të pasur një afat shtesë sa i përket kohës së kur subjektet politike duhet të dorëzojnë aplikimet e tyre”, tha Elezi.

Po ashtu, Elezi bëri të ditur se KQZ do të bëjë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në bashkëpunim me institucionet tjera.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të bërë verifikimin e kandidatëve që garojnë në zgjedhje, do të bashkëpunojë me institucione të ndryshme, pra me qëllim të verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme”.

Ai deklaroi se bashkëpunimi i KQZ do të jetë me “PZAP-in, KGJK-në, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, AKI-në dhe Doganat e Kosovës, pra për t’i pyetur këto institucione, nëse personat të cilët janë paraqitur nga ana e subjekteve politike për t’u certifikuar janë në përputhje me Nenin 29, varësisht se cila fushë e përgjegjësisë mbulohet nga këto institucione”.

KQZ-ja është duke vazhduar të pranojë aplikimet për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri të premten janë pranuar 2 mijë e 646 aplikime, prej tyre janë aprovuar 2 mijë e 461 ndërsa 185 të tjera jo, sepse nuk kanë përmbushur kriteret ligjore. Afati për regjistrim përfundon më 18 gusht.

Ndryshe, më 2 gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se procedura për ndërrimin e Qendrës së Votimit, e cila ka nisur të realizohet që nga 20 korriku i këtij viti, do të vazhdoj së funksionari deri me datën 7 shtator të vitit 2021.

Gjatë kësaj periudhe kohore qytetarët e Republikës së Kosovës, e kanë mundësinë të ndryshojnë qendrën e votimit brenda komunës së tyre.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore