Lajme

Kosovë: Sulmohet autobusi me armë – tre të vdekur, dy prej tyre nxënës


Foto amatore nga vendi i ngjarjes

Tre persona kanë mbetur të vdekur në vend, derisa të tjerë janë plagosur nga sulmi me armë zjarri që i është bërë një autobusi me nxënës në Kosovë, në fshatin Gllogjan të Deçanit, rreth orës 19:00.

Për Albanian Post, drejtori i spitalit në Deçan, Selmon Berisha, fillimisht ka konfirmuar vdekjen e një personi, por më pas nga policia në Pejë është konfirmuar edhe vrasja e dy personave të tjerë.

Të vrarët janë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Nxënësit janë nga fshatin Gllogjan i Decanit, derisa shoferi nga fshati Skivjan.

Kryetari i fshatit Gllogjan në një prononcim për mediat në Kosovë, ka thënë se kur ka shkuar në vendin e ngjarjes ka pa se “shoferi ishte i vdekur, edhe dy fëmijët kanë qenë të vdekur në vendngjarje”.

Ai ka treguar edhe se si dukeshin sulmuesit e autobusit.

“Një njeri me maskë ka qenë dhe i ka dalur përball autobusit dhe e ka gjuajtur. Autobusi ka qenë ndër rrugë, shoferi ka qenë i vdekur. Ngjarja ka ndodhur afër shkollës së Gllogjanit mes Shaptejt dhe Gllogjanit”, ka thënë kryetari fshatit të Gllogjanit.

I vdekuri i parë ishte konfirmuar në spitalin e Deçanit, kurse më pas Skënder Dreshaj nga Spitali Regjional i Pejës në një linjë direkët në T7 ka thënë se në spital janë pranuar tre persona.

“Në spital janë sjell tre të lënduar me armë zjarri, dy nga ta pa shenja jete ndërsa njëri nga ta e ka një plagë shpuese në këmbën e majtë dhe është jashtë rrezikut për jetë”.

 

Foto amatore: Spitali në Deçan, ku po dërgohen të plagosurit

Lajmin për sulmin e autobusit me armë zjarri për Albanian Post e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sulmi ka ndodhur në fshatin Gllogjan ndërsa ai është kryer nga persona të panjohur deri më tani”, ka treguar Gashi, i cili ka mundur të konfirmojë se deri tani dihet për dy të plagosur.

Gashi ka thënë se për momentin nuk mund të jepen informacione se cilat ishin motivet e sulmit me armë.

Policia ka filluar hetimet, por ato ende janë veç në fazën e parë të tyre.

Gjithashtu, ende nuk ka as të arrestuar për këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore