Kosova

Kosovë: Provimi i Maturës Shtetërore mbahet më 26 qershor


Ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë maturantët se, të shtunën (më 26 qershor), do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.

Në njoftimin e (MAShTI) thuhet se, në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi.

“Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, njofton MAShTI.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se “Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet i përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI”.

Po ashtu, MAShTI thekson se të gjithë personat, të angazhuar në këtë proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do t’ju kërkohet përgjegjësi.

Ndërsa, bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit.

“Kujtdo që i zihet telefoni, do të përjashtohet nga mbajtja e provimit. Për të mos ndikuar në proces dhe, sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit, përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit”.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik.

Ndryshe, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, më herët ka bërë të ditur se viti shkollor do të përfundojë më 2 korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore