Kosova

Kosovë: Nisin hetimet për importin e bllokave nga Serbia


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim që të nisin hetimet zyrtarisht për importin e bllokave standardë me dimensione (19x19x25) të importuar nga Serbia.

Kështu ka bërë të ditur, ministrja Rozeta Hajdari, përmes një konference për media, ku ka theksuar se janë analizuar çmimet e shitjes së bllokave me pakicë dhe janë bërë hetimet preliminare ku Komisioni përkatës ka rekomanduar hapjen e hetimeve.

“Ne kemi bërë largimin e masës që në një afat të shkurtër prodhuesit vendor të materialit të paraqesin kërkesat e tyre. Unë me datë nëntë gusht si ministre kam marrë vendim për hapjen e hetimit zyrtar për bllokat nga Serbia. Pas hapjes së hetimit, gjatë kësaj kohë nuk duhet të pengohen procedura, sipas ligjit: prodhuesit vendor dhe eksportues duhet të paraqesin pretendimet e tyre në një periudhë prej 45 ditësh”, ka thënë ajo.

Hajdari ka thënë se këto hetime janë bërë gjatë vizitave të kompanive që bëjnë shitjen e bllokave të importuara nga Serbia.

“Të dhënat e dala nga hulumtimi preliminar i bërë nga Departamenti i Tregtisë në bashkëpunim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe dhe takimit me Shoqatën e Prodhuesve të Materialit Ndërtimor nga Argjila, tregojnë për një tendencë të dëmtimit të prodhimit vendor nga produktet e importuara nga Serbia, në drejtim të çmimeve damping”, shtoi ajo.

Ajo po ashtu, ka njoftuar për ligjin për masat anti-damping që aplikohet në rastet kur një produkt i importuar “shitet më lirë në tregun tonë se sa në vendin e origjinës”.

“Bazuar në kërkesën e shoqatës së prodhuesve të materialit ndërtimor me bazë argjilore, departamenti i tregtisë në këtë ministri, pas një hulumtimi të bërë, kishte rekomanduar dhe vendosur masën mbrojtëse anti-damping prej vlerës 0.02 euro për bllokat standard të importuar nga Serbia”.

“Vendimi i marrë në datën shtatë korrik 2016 nuk e kishte specifikuar afatin prej pesë ditësh siç ishte i obliguar me ligj dhe departamenti i tregtisë duke u bazuar në interpretimin ligjor nga departamenti ligjor i kësaj ministrie, ka konstatuar se vendimi i masës mbrojtëse anti-damping për bllokat standard  të cilët importohen nga Serbia duhet të shfuqizohen për arsye të skadimit, ishte obligim ligjor”.

Çka do të ndodhte sikur të mos shfuqizohej ky vendim?

Ministrja Hajdari ka thënë se çdo vonesë në mos shfuqizim të masës së pari do të konsiderohej shkelje ligjore, pastaj sipas nenit 51 – rikthim i fondeve, që do të thotë rimbursim.

“Qeveria e Kosovës do të kishte qenë e obliguar në rikthimin e fondeve”, ka thënë ajo.

Sa i përket vendimit për marrjen e kthimit të kontrollit të cilësisë në doganë Hajdari ka thënë se ky vendim është marrë për disa arsye.

“Një ndër arsyet është vendosja e një udhëzimi të jashtëligjshëm që nuk ka pasur asnjë bazë ligjore nga ligji përkatës për naftën”.

“Tregu i naftës ka shumë probleme duke filluar që nga importi, që nuk vjen me kualitet që ne e presim. Jam e vetëdijshme që përzierja e naftës është në vëmendjen tonë që ne duhet ta adresojmë këtë problem, por nuk mundemi jashtëligjshëm të mbyllim ndonjë rafineri nëse nuk gjejmë gjetje, prandaj jemi në inspektime të vazhdueshme dhe analizë të vazhdueshme dhe po ashtu në bashkëpunim të afërt me doganën”, është shprehur ministrja Hajdari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore