Kosova

Kosovë: Nis vaksinimi i personelit shëndetësor


Ka nisur procesi i vaksinimit kundër Coronavirus-it për personelin shëndetësor në klinikën Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Shërbimit Spitalor i Klinikës Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë para medieve se kjo ditë është e mbarë për Kosovën pasi vendi po i bashkëngjitet shteteve të tjera në luftën kundër COVID-19.

“Deri më tani, bota ka pasur në përdorim vetëm metoda parandaluese dhe tani përmes vaksinimit po synohet që t’i jepet fund pandemisë. Unë kam një mesazh të qartë që virusi është ende prezent. Vaksina është e sigurt dhe çdo qytetarë duhet të ndihet i sigurt për ta marrë këtë vaksinë”, tha Krasniqi.

Ai po ashtu, ka lutur të gjithë që të vazhdohet me respektimin e masave kundër pandemisë.

“Jemi në një fazë të rëndë me virusin, sot kemi mbi 900 pacientë që janë të shtrirë. Duhet patjetër të respektohen masat”, shtoi ai.

Në mesin e personelit shëndetësor, është vaksinuar edhe infektologu, Izet Sadiku.

Ai pas vaksinimit ka thënë se kjo ditë është ditë historike për Kosovën.

“Po hyjmë në fazën kur Kosova i bashkëngjitet vendeve tjera për marrjen e vaksinës kundër COVID-19”, u shpreh Sadiku duke kërkuar të respektohen masat.

Tutje ai ka theksuar se nuk ka pasur hezitim për marrjen e vaksinës nga asnjë kolegë.

“ Nuk ka reaksion”, ka thënë Sadiku.

Procesi i vaksinimit ka filluar në ditën e hënë, më 29 mars, ku në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 nga kompania AstraZeneca.

Kurti pas procedurës së vaksinimit, para mediave ka thënë se nuk është aty që të shfrytëzojë privilegjin për tu vaksinuar i pari.

“Jam këtu që t’i inkurajoj të gjithë qytetarët që të vaksinohen dhe t’ua largoj dilemat mbi dobinë e kësaj ndërmarrje”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu, ka theksuar se meqenëse përballemi me këtë pandemi, vaksinat janë të nevojshme dhe sipas tij “zgjidhja përfundimtare e kësaj pandemie është vaksinimi i të gjithë popullsisë”.

Ndërkohë Kurti ka bërë thirrje që të vazhdohet me mbajtjen e masave për parandalim të pandemisë, duke mbajtur maskat, distancën fizike, higjienën dhe evitimin e grumbullimeve në vendet e mbyllura.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur fillimisht në komunën e Prishtinës, kurse vaksinimi në komunat e tjera pritet të nisë gjatë kësaj jave.

Kështu ka bërë të ditur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një takim virtual që ka mbajtur me kryetarët e komunave të Kosovës në lidhje me koordinimin dhe procesin e fillimit të vaksinimit.

Të hënën e 28 marsit, në Kosovë ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër Coronavirusit, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore