Lajme

Kosovë: Miratohen masat e reja anti-COVID, hiqet kufizimi i lëvizjes


Ilustrim.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të martës ka miratuar masat e reja kundër COVID-19.

Ekzekutivi, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është hequr kufizimi i lëvizjes.

“Është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ministritë e linjës, palët e interesit dhe ekspertët përkatës, në këtë mbledhje u vendos për masat kundër COVID-19”.

Ky vendim thuhet se hyn në fuqi nga 1 marsi.

Nga masat paraprake, ora policore ka qenë në periudhën kohore 00:00-05:00, ndërsa me uljen e rasteve të reja me COVID-19, kjo masë është parë si e panevojshme.

Ilustrim.

Ndërsa, është marrë vendim edhe për qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë.

“Qeveria mori vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë”.

Gjatë mbledhjes, është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 150 mijë euro për pranimin e 20 gazetarëve nga Ukraina.

“Këto mjete do të përdoren me qëllim të mbulimit të shpenzimeve që lidhen me qëndrimin e këtyre gazetarëve në Kosovë për një periudhë deri në 6 (gjashtë) muaj”.

“Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve gra”.

Gjithashtu, është miratuar edhe vendimi për autorizimin e procedurave të veçanta për periudhën 3 (tre) vjeçare 2022-2024, për administrimin e procedurave për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, duke përfshirë edhe veprat e artistëve që nuk jetojnë më.

Ndryshe, më 1 mars, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, ka humbur jetën një person dhe janë regjistruar 61 raste të reja me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga 1 mijë e 257 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 241 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 1 mijë e 696.

Brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar gjithsej 688 persona.

Ndërkaq, 899 mijë e 564 persona janë vaksinuar me dozën e parë, teksa numri i të vaksinuarve me të dy dozat ka arritur në 816 mijë e 179.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore