Kosova

Kosovë: Miratohen 13 rekomandimet për zëvendësim të deputetëve nga KQZ-ja


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka miratuar 13 rekomandimet për kandidatët e radhës që do të zëvendësojnë deputetët e deritashëm të Kuvendit të Kosovës.

Albin Kurti me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, u zgjodh kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Bashkë me Kurtin janë votuar edhe 15 ministrat e qeverisë së re “Kurti 2”.

Nga 15 ministri, tetë janë ministra nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse shtatë jashtë partiakë.

Kështu deputetët kanë humbur mandatet e tyre si deputet të Kuvendit të Kosovës, për shkak të marrjes së posteve ekzekutive në Qeverinë e re, prandaj emrat e tyre do të zëvendësohen me deputetët e radhës me më shumë vota.

Po ashtu, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Daut Haradinaj do të zëvendësohet nga Shemsedin Dreshaj.

Nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Shqipe Isufi do ta zëvendësojë Donika Gërvalla-Shwarz, e cila është emëruar si zëvendëskryeministre e dytë në Qeverinë e re.

Enver Haliti do të zëvendësojë ish deputetin Arben Vitia, i cili është emëruar si ministër i Shëndetësisë.

Nga i njëjti subjekt politik edhe Mirsad Shkreta do të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës, i cili do të zëvendësojë ministrin e Financave, Hekuran Muratin.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural, Faton Peci, në Kuvend të Kosovës  si deputet do të zëvendësohet nga Gramos Agusholli.

Liburn Aliu i cili ka marrë postin e Ministrit të Mjedisit dhe Infrastrukturës, do të zëvendësohet nga Alban Bajrami.

Po ashtu, Yllza Hoti sipas rekomandimeve të KQZ-së, do të zëvendësojë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin.

Ish deputeti Hajrullah Çeku, është emëruar si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prandaj ai do të zëvendësohet nga Jahja Kokaj.

Gresa Bytyqi-Kelmendi, do të zëvendësojë ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdarin.

Dhe i fundit nga lista e LVV, ministri për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla do të zëvendësohet nga Hydajet Hyseni.

Nga partia Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), ish deputeti Fikrim Damka, në Qeverinë “Kurti 2”, është emëruar ministër i Ministrisë për Zhvillim Rajonal. Të njëjtin do ta zëvendësojë Enis Kervan.

Kurse Elbert Krasniqi, nga partia Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK),  i cili është emëruar si ministër i Pushtetit Lokal do të zëvendësohet nga Fridon Lala.

Në kabinetin qeverisës, Emilia Rexhepi, nga Partia e Re Demokratike (NDS), u zgjodh si zëvendëskryeministre e tretë, andaj atë do ta zëvendësojë Samra Ilijaz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore