Kosova

Kosovë: Ministria e Shëndetësisë publikon vendimin për masat e reja anti-COVID


Pas mbledhjes së shtatë të Qeverisë së Kosovës është marrë vendimi për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID–19.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, në faqen zyrtare ka publikuar masat e reja të cilat kanë hyrë në fuqi që nga 19 prilli e deri në një vendim tjetër nga ana e Qeverisë dhe MSH-së.

Vendimi i miratuar përfshinë masat si në vijim:

Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 30 persona. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet mbajtja e pritjes për ngushëllim/krye shëndoshë dhe organizimi i dasmave.

Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre, deri në 40 klient për 100m2 (4 persona për 10 m2). Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

Shërbimi “dërgesë me porosi”, lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

Lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve deri në 40 për qind të kapacitetit.

Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri 50 për qind të kapacitetit dhe sipas udhëzuesit përkatës.

Taksitë lejohen të punojnë me 1 udhëtar prapa ose 3 udhëtarë prapa nëse janë anëtarë të së njëjtës familje.

Institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonitë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme) lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30 për qind të hapësirës të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet.

Lejohen aktivitetet sportive pa prezencë të publikut, të cilat duhet të realizohen në përputhje me protokollet vendore dhe ndërkombëtare sportive.

Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative sipas udhëzuesit përkatës.

Qytetari i huaj që hyn në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet­ të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

Përjashtim nga pika 11 bëjnë:

Nëse qytetari i huaj hyn në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore.

Qytetari i huaj që punon si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19.

Qytetari i huaj që kalon nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshoj territorin e Kosovës brenda 5 orësh.

Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre.

Personi që ka dëshmi për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.

Në institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera, të paraqiten në punë vetëm stafi esencial. Staf esencial konsiderohen punëtorët prezenca fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.

Të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia.

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligim, në të gjitha rastet përveç:

Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklimit, gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të së njëjtës familje.

Kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:30 deri në 05:00, përveç:

Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi).

Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike.

Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.

Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

Masat e ndërmarra sipas këtij vendimi janë mbështetur në arsyetimin se:

Referuar raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nga 13 marsi 2020 deri më 16 prill 2021, numri rasteve të konfirmuara me COVID-19 është 101 mijë e 153 raste ndërsa numri i vdekjeve dy mijë e 061 raste.

Prandaj masat e përcaktuar në këtë vendim si dhe afatet kohore shërbejnë që situata epidemiologjike të mba­het nën kontroll. Ndryshimi i situatës epidemiologjike nuk përjashton vendime dhe masa të reja konform situatës së re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore