Kosova

Kosovë: Mbi 27 mijë persona të vaksinuar


Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, në një konferencë për media, tha se deri më tani në Kosovë janë vaksinuar mbi 27 mijë persona.

“Aktualisht janë të vaksinuar 3,200 profesionistë shëndetësor me vaksinim Pfizer. Vetëm në ditën e djeshme kemi pasur 1,133 persona të vaksinuar që mund ta quaj dita më e ngarkuar me fluksin e profesionistëve”, tha Bardhi.

“Nëse i referohemi shifrës totale nga dita e parë kur ka filluar vaksinimi prej 29 mars e deri në këto qaste është mbi 27 mijë të vaksinuar në total përfshirë edhe qytetarë të tjerë”.

Kosova deri më tani ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca nga programi COVAX dhe 4,680 doza të vaksinës Pfizer, donacion nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinës Pfizer për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të premten, se duke filluar nga java e ardhshme do të ketë vazhdimisht kontingjente të vaksinave që do të vijnë në Kosovë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes në Kosovë për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut për shkak të variantit të ri të virusit në ato shtete. Ndërkaq, në vend vazhdojnë të mbesin në fuqi masat e njëjta, ku pas orës 22:30 në të gjitha komunat vlen ora policore.

Kosova ka regjistruar 106.192 raste me COVID-19, kurse numri i viktimave ka arritur në 2.202.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore