Kosova

Kosovë: Mbi 177 mijë gjoba të shqiptuara për qytetarët për shkak mos respektimit të masave anti-COVID


Që nga fillimi i zbatimit të ligjit anti-COVID, janë shqiptuar mbi 177 mijë gjoba ndaj qytetarëve të cilët nuk iu kanë përmbajtur rregullave dhe masave të dhëna nga institucionet e Kosovës për parandalimin e COVID-19.

Këtë, me një përgjigje me shkrim e ka konfirmuar për Albanian Post, zyra për informim nga Policia e Kosovës.

“Nga 26 gushti i vitit 2020 e deri më sot, policia bazuar në këtë ligj ka shqiptuar 177 mijë e 681 gjoba”, thuhet në përgjigjen e Policisë, në të cilën nuk sqarohet se për cilën kategori bëhet fjalë.

Por bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës, “personi fizik i cili nuk e respekton vendimin e organit kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej 200 euro”.

Ndërkaq, edhe mos mbajtja e distancës fizike dhe mos mbajtja e maskës dënohet me gjobë prej 35 eurosh.

Ky ligj “ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për institucionet shtetërore të Kosovës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Thirrjet e institucioneve përkatëse të Kosovës, që të mos ketë grumbullime nga ana e qytetarëve dhe t’i respektojnë masat për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit, nuk ishin të pakta.

Duke u bazuar në statistikat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, numri i rasteve të vdekjes si pasojë e COVID-19 në Kosovë, ka shkuar në dy mijë e 125.

Që nga regjistrimi i rasteve të para në muajin mars të vitit 2020 e deri më tani, janë regjistruar 103 mijë e 815 raste pozitive kurse numri i rasteve aktive është 10 mijë e 878.

Ndërkohë, më 18 prill, Qeveria e Kosovës kishte mbajtur mbledhjen e shtatë në të cilin është marrë vendimi për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ka lehtësuar masat të cilat janë publikuar në faqen zyrtare të tyre më 19 prill, datë kjo në të cilën kanë hyrë në fuqi këto masa të reja.

Masat e ndërmarra sipas këtij vendimi janë mbështetur në arsyetimin se:

“Referuar raportit të fundit të IKSHPK-së, nga 13 marsi 2020 deri më 16 prill 2021, numri rasteve të konfirmuara me COVID-19 ishte 101 mijë e 153 raste ndërsa numri i vdekjeve dy mijë e 061 raste”.

Prandaj masat e përcaktuar në këtë vendim si dhe afatet kohore shërbejnë që situata epidemiologjike të mba­het nën kontroll. Ndryshimi i situatës epidemiologjike nuk përjashton vendime dhe masa të reja konform situatës së re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore