Kosova

Kosovë: Masat e reja kundër COVID-19


Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka njoftuar për caktimin e masave të reja kundër COVID-19.

Ai në një konferencë për media ka thënë se që nga data 12 gusht e vitit 2021 e deri më 10 shtator të të njëjtit vit, hyrja në ambientet e mbyllura do të lejohet vetëm nëse klientët posedojnë dëshmi që janë vaksinuar kundër COVID-19.

“Hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambientet ku mbahen ahengjet e ndryshme, grumbullimet, tubimet masive si festivale, koncerte që kanë kapacitet mbi 100 persona dhe organizmi i tyre aktiviteteve lejohet vetëm nëse klientët posedojnë një nga dëshmitë si, certifikatën e vaksinimin të plotë ose marrjen e së paku një doze të vaksinës”, ka thënë Vitia.

Po ashtu ata do të lejohen edhe në rast se kanë “testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19, ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik IGG i lëshuar më së shumti para 30 ditëve, dhe në fund test të shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë”.

Ministri Vitia ka theksuar se nga kjo datë një nga dëshmitë e cekura më lartë duhet të posedohet nga të gjithë punëtorët në kuadër të bizneseve, aktiviteteve të cekura, të cilat janë në kontakt të drejtpërdrejt me klientët.

Vitia ka potencuar se edhe pas këtij vendimi, sidomos në institucionet e Kosovës “ndalohet hyrja e personave pa maska dhe obligohet bartja e tyre gjatë gjithë kohës në hapësirat e mbyllura”.

“Bartja e maskës është obligative në të gjitha rastet përveç gjatë ecjes në ambient të jashtëm kur jemi vetëm, gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me një grup jo më shumë se katër persona, gjatë vrapimit, gjatë ngrënies ose pijes”, shtoi ai.

Në anën tjetër, ministri Vitia ka deklaruar se edhe pse vendimi është në fuqi deri më datën 10 shtator, “secili rekomandim i ri që vjen nga ekspertët në bazë të analizave të situatës epidemiologjike që do të bëhen, do të mund të ketë ndryshime edhe gjatë kësaj periudhe qoftë me masa shtesë apo përfshirje të sektorëve të tjerë në këto masa”.

Këto masa sipas Vitisë, janë ndërmarrë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik të popullatës dhe frenimit të përhapjes së mëtejmë të COVID-19.

“Një valë e përfshirjes nga ky variant ka qenë e pashmangshme. Varianti Delta sipas hulumtimeve shkencore shkallën shpërndarjes në krahasim me variantin Alfa e ka më të lartë së paku katër herë”, ka thënë Vitia.

“Sipas analizave të IKSHP-së, ky variant varion në 80 për qind të rasteve me COVID-19 në raste të reja. Kjo na detyron të rrisim në maksimum kujdesin, t’i zbatojmë masat dhe t’i përdorim mjetet tona në fuqi për të parandaluar përkeqësimin e situatës që për pasojë do të kishte rritjen e mëtejmë të numrit të të infektuarve, shtrirjet e qytetarëve në spital, ngarkesën e personelit spitalore dhe humbjen e jetës së qytetarëve”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore