Lajme

Kosovë: Masat e reja anti-COVID’19 dhe orari i lëvizjes


Ilustrim

Masat e reja anti-COVID do të vazhdojnë të jenë të njëjta me ato që ishin në fuqi më 27 shtator, përveç kufizimit të lëvizjes dhe orarit të gastronomisë.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur për Albanian Post se kufizimi i lëvizjes do të zgjatet deri në ora 00:00, ndërsa orari i gastronomisë deri në orën 23:00.

Ibrahimi i tha AP se takimi i sotëm me u.d e ministres së Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku, ka pasur më shumë karakter informues.

E po ashtu shtoi se, “kanë marrë pjesë vetëm dy kryetarë komunash, pasi mbledhja nuk ishte njoftuar me kohë”.

Propozimi i komunave ka qenë që të hiqet ora policore dhe maska kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm, por kjo nuk është miratuar nga MSH-ja.

“Takimi ishte informues, jo koordinues. Kanë marrë pjesë vetëm kryetari i Mamushës dhe i Suharekës. Ora policore do të jetë nga ora 00:00-05:00, ndërkaq orari i gastronomisë do të zgjatet deri në orën 23:00”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi tregoi se në takimin e sotëm, AKK-ja ka paraqitur edhe listën e shteteve në të cilat nuk ka orë policore dhe maskat nuk janë të obligueshme në ambiente të jashtme, por që nuk është marrë parasysh nga ministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku.

Masat e reja priten të miratohen në mbledhjen e ardhshmë të Qeverisë.

Ministrja e Shëndetësisë: Jemi duke shqyrtuar mundësinë për ndryshim në masa

U.D. Ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku gjatë vizitës së saj tek ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti”, u pyet edhe për lehtësimin e masave antiCOVID.

Ajo deklaroi se janë duke e shqyrtuar mundësinë për ndryshim në masa.

Ajo sqaroi se do të informojnë për secilën masë të re, teksa theksoi se kjo bëhet si çdo herë pas diskutimit me ekspertë shëndetësor.

“Sigurisht masat janë duke u shqyrtuar, do të informoheni, do të propozojmë të gjitha masat në Qeverinë e Kosovës, pas diskutimit me ekspertët shëndetësor, dhe të gjithë hisedarët”, tha Gexha-Bunjaku.

Përveç kësaj, theksoi se të gjitha mostrat të cilat janë dërguar për analizë jashtë vendit, kanë rezultuar me 100 për qind dominim të variantit Delta.

“Edhe pse jemi në situatë stabile, megjithatë prania e variantit delta që është e konfirmuar në të gjitha mostrat që janë dërguar për sekuencionim gjenetik, mbetet 100 për qind dominim varianti Delta. Për të parandaluar dhe mbajtur nën kontroll përhapjen e COVID-19, rritja e shkallës së vaksinimit kombinuar me masa parandaluese, janë i vetmi sukses që mund të arrijmë”, tha ministrja.

U.D. Ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku

Ministrja tha se, “Cilido variant i virusit, sa më shumë përhapet e ka aftësinë të shkaktojë mutacione, apo variante të reja, secili variant i ri është më ngjitës se ato paraprake. Delta plus është identifikuar në Angli dhe disa vendet e reja, por masat mbeten të njëjta që duhet të respektohen”.

Po ashtu, deklaroi se edhe gjatë fushatës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve do të mbesin të njëjta sa i përket grumbullimit të qytetarëve.

“Sigurisht masat e përgjithshme janë të njëjta në mbarë botën. Por, secili vend e ka të drejtën të shqyrtojë dhe përshtat ato brenda situatës në vend, ne jemi në fushatë zgjedhore, kemi qenë tash prapë në 21 komuna thuajse do të kemi prapë fushatë zgjedhore, do të vazhdojnë masat e njëjta për grumbullimet”, tha Gexha-Bunjaku.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar të premten (22 tetor) se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 16 raste të reja me Coronavirusin e ri. Shifra ka dalë pas testimit të 2 mijë e 115 mostrave.

Vaksinimi kundër COVID-19, ka filluar në muajin mars dhe deri të premten janë administruar mbi 1.5 milion doza të vaksinës.

Mbi 690 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore