Kosova

Kosovë: Lëndohen katër policë gjatë arrestimit të anëtarëve të PSD-së


Gjatë arrestimit të aktivistëve të Partisë Socialdemokrate (PSD), janë lënduar katër zyrtar policor.

Në raportin 24 orësh të këtij organi të sigurisë, bëhet e ditur se policët kanë pësuar lëndime trupore.

Kjo erdhi pasi të dyshuarit kishin hyrë në objektin e ZRRE-së dhe siç thuhet, kanë penguar punën e punonjësve.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje.

Anëtari i Partisë Social Demokratike dhe ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, në një konferencë për media ka thënë në ditë më parë se gjashtë aktivistët e partisë së tij janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit pas protestës para Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Ai ka theksuar që bashkëpartiakëve të tij, kryetarit Dardan Molliqaj, sekretares Teuta Rrusta, Natyra Kuqit, Nol Nushit, Genc Sherifit dhe Frashër Krasniqit, iu ka mohuar liria për 48 orë.

“Sot në shërbim të Qeverisë, por edhe mungesës së transparencës, është vendosur Policia e Prokuroria e po tenton me ndal e me ndërpre protestën, reagimin e rezistencën ndaj një vendimi të padrejtë”, tha Kastrati.

“Ne si PSD kërkojmë urgjent të lirohen edhe këta gjashtë aktivistë, përfshirë kryetarin Dardan Molliqaj, e atë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ai ka shtuar se gjatë protestës dy aktivistë të PSD-së janë rrahur nga policia.

Qëndron Kastrati

“E kisha ftuar Inspektoratin e Policisë dhe shoqërinë civile, pasi përveç asaj që u pa në kamera, të paktën dy prej aktivistëve, gjatë lëvizjeve në objekt, nga policët civilë janë vendosur në dhoma e ata kanë përdorur dhunë absurde, me qëllim hakmarrje e frikësimi”.

“E ftojmë Policinë e Prokurorinë të mos bjerë pre e Qeverisë apo kujtdo tjetër që me provu me shtyp protestën me dhunë joproporcionale”, ka thënë Kastrati.

Ndërkaq Zgjim Hyseni, ka theksuar thënë se në ZRRE thjeshtë kanë kërkuar një dokument që duhej të ishte publik.

“Sa është çmimi i kilovatit, prej 0 deri 800, sa është prej 800 e më lartë, e sa është përqindja e fitimit të KESCOS në gjithë këtë muhabet. ZRRE-ja duhet të përgjigjet”, ka thënë Hyseni.

Me 14 shkurt, pas vendimit për rritjen e çmimit të faturave të energjisë elektrike, anëtarët e Partisë Socialdemokrate kanë vendosur që të hënën të qëndrojë tek zyrat e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Anëtarët e PSD-së e kanë ndalur energjinë elektrike në një pjesë të zyrës së ZRRE-së.

Kretari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka kërkuar nga i pari i ZRRE-së Ymer Fejzullahu, që të tregojë se sa është përqindja të cilën e mbulon Qeveria e Kosovës në faturë nga 90 milionëshi i subvencionit që është paraparë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore